Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon hartimin e strategjive të reja kundër trafikimit të drogës, terrorizmit dhe krimit të organizuar
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përkrahur hartimin e strategjive të reja dhe planeve të veprimit 2012-2017 kundër trafikimit të drogës, terrorizmit dhe krimit të organizuar gjatë disa punëtorive të mbajtura në Durrës, Shqipëri, nga 6 deri më 23 qershor 2012.
Gjatë gjashtë muajve të fundit, Misioni ka punuar me përfaqësuesit e policisë së Kosovës, ministritë relevante, këshillat gjyqësor dhe prokurorial, si dhe me EULEX-in, ICITAP-in, UNDP dhe organizata jo-qeveritare për të rishikuar strategjitë 2009-2012 dhe për të ndihmuar në hartimin e strategjive të reja, të cilat vazhdojnë deri në vitin 2017. Dispozitat përfundimtare janë hartuar gjatë punimeve në këto punëtori.
“Këto strategji janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë,” tha Duško Zavišić, Zëvendës Drejtor i Departamentit për Siguri Publike në OSBE. “Një bashkëpunim dhe koordinim i përmirësuar i të gjithë akterëve relevant është qenësor për mbajtjen dhe përmirësimin e sigurisë publike dhe kjo është edhe thelbi i këtyre strategjive.”
Strategjia kundër trafikimit të drogës ka për qëllim ruajtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e abuzimit me droga duke zvogëluar mundësinë e sigurimit dhe kërkesës për drogat e ndaluara, kurse strategjia kundër terrorizmit përqendrohet në parandalimin, ndjekjen, mbrojtjen dhe reagimin ndaj aktiviteteve të terrorizmit.
Strategjia kundër krimit të organizuar – si strategji ombrellë – përcakton rolet e agjencive për zbatim të ligjit dhe parasheh masa për përmirësimin e mëtutjeshëm të punës së tyre. Kjo strategji përfshinë edhe komponentin e ngritjes së vetëdijes për të siguruar përkrahje për implementimin e saj.
Këto draft-strategji, të cilat përcillen nga plane pesë-vjeçare të veprimit, së shpejti do t’i dorëzohen qeverisë për aprovim.
Misioni i OSBE-së promovon forcimin e sektorit të sigurisë publike në Kosovë, si dhe ofron këshilla dhe ndihmë për agjencitë e sigurisë përmes hartimit të strategjive, trajnimeve të avancuara për policinë dhe përkrahjes për iniciativat e policisë në komunitet.