Misioni i OSBE-së dënon zjarrvënien ndaj shtëpive të serbëve në komunën e Klinës
Prishtinë, 23 maj 2012 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer, dënoi sot zjarrvënien që shkatërroi një shtëpi të një serbi të Kosovës dhe dëmtoi seriozisht një shtëpi tjetër mbrëmë në fshatin Drenoc të komunës së Klinës.
“E dënoj fuqimisht incidentin e fundit që preku të kthyerit serbë të Kosovës dhe pronën e tyre në komunën e Klinës. Incidentet e tilla shtojnë frikën mes komuniteteve tashmë të cenuara dhe ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike, që si pasojë rrezikon procesin e kthimit”.
“Perceptimi i sigurisë së serbëve të Kosovës në rrethinë ishte edhe ashtu i minuar pas lënies së letrave kërcënuese në pragun e shtëpive të banorëve serbë të Kosovës në disa lokacione në komunën e Klinës, duke përfshirë fshatin Drenoc. Për secilin incident që prek sigurinë e komuniteteve duhet që menjëherë të ketë reagime dhe të merren masa të rrepta për t’i parandaluar incidentet e mëtejme”.
“U bëj thirrje policisë dhe institucioneve të marrin të gjitha veprimet e domosdoshme për të sjellë kryesit para drejtësisë. Kërkoj nga të gjithë faktorët relevantë që t’i afrohen komunitetit të prekur dhe të promovojnë komunikimin dhe bashkëpunimin për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për të ofruar një bashkëjetesë paqësore”, tha Almhofer.
“Unë e mirëpres dënimin ndaj rastit të bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe reagimin e shpejtë të policisë së Kosovës në fillimin e hetimeve. Misioni i OSBE-së mbetet i gatshëm t’i ndihmojë institucionet e Kosovës që të angazhohen në mënyrë efikase me të gjitha komunitetet, sidomos nëpërmjet mekanizmave për mbrojtjen e komuniteteve siç janë zyrat komunale për komunitete dhe kthim këshillat lokale të sigurisë publike”.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni në mënyrë proaktive monitoron gjendjen e të drejtave të njeriut dhe punon me institucionet në Kosovë që të ndihmojë në korrigjimin e mangësive të vërejtura.