Misioni i OSBE-së ndihmon hartimin e strategjisë dhe planit të veprimit për policinë në komunitet
Një strategji e re dhe plan i veprimit për policinë në komunitet janë finalizuar gjatë një punëtorie të mbajtur nga data 27 deri më 29 mars 2012 në Prevallë, Prizren. Në këtë punëtori të mbështetur nga OSBE-ja kanë marrë pjesë eprorë të lartë të policisë së Kosovës, zyrtarë policorë të vijës së parë dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që punojnë në fushën e sigurisë publike.
Koncepti i policisë në komunitet është ideuar me qëllim të ndërtimit të besimit në mes të policisë dhe publikut të gjerë përmes komunikimit dhe punës së përbashkët në identifikimin, parandalimin dhe zgjidhjen e problemeve të komunitetit. Strategjia dhe plani i veprimit do të ndihmojnë policinë e Kosovës që ta zbatojë këtë koncept në të gjitha fushat, që nga siguria në trafik e deri te luftimi i krimit të organizuar.
“Qëllimi ynë është të krijojmë partneritet me publikun, të afrohemi më shumë dhe të komunikojmë me ta në mënyrë që të rrisim besimin dhe të zgjidhim problemet së bashku”, tha kolonel Reshat Maliqi nga policia e Kosovës.
Koncepti i policisë në komunitet është përdorur në Kosovë tash sa vite, por implementimi i tij i plotë ka mbetur një sfidë sepse ka kërkuar ndryshime themelore në punën dhe strukturën e policisë.
“Strategjia e re duhet të ndihmojë në adresimin e çështjeve të pazgjidhura dhe të mundësojë implementimin efektiv të konceptit të policisë në komunitet në mbarë Kosovën”, tha Sergey Sidorov, shef i Sektorit të OSBE-së për Zhvillimin e Sigurisë në Komunitet. “Ne do të mbështesim policinë e Kosovës në këtë drejtim përmes trajnimeve dhe punës tonë me forumet për siguri në komunitet, të cilat i bashkojnë në një vend banorët, zyrtarët komunalë dhe policinë”.
Strategjia do të fillojë të implementohet menjëherë përmes planit pesëvjeçar të veprimit. Koncepti i policisë në komunitet do të përfshihet në procedurat dhe politikat e policisë së Kosovës, programet e trajnimit, vlerësimit të punës dhe praktikave të ngritjes në pozitë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë punon për përforcimin e sektorit për siguri publike në Kosovë. Misioni po ashtu u ofron asistencë dhe ngritje të kapaciteteve agjencive për siguri publike dhe mbështet implementimin e konceptit të policisë në komunitet.