Misioni i OSBE-së në Kosovë fillon fushatën kundër dhunës në familje, asiston institucionet
Prishtinë, 07 mars 2011 – Një ditë para Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Misioni i OSBE-së në Kosovë lansoi një fushatë informuese që i bën thirrje publikut të raportojë dhunën në familje dhe publikoi materiale për të ndihmuar institucionet vendore që t’u dalin në ndihmë më mirë viktimave të krimit.
Fushata informuese që promovon linjën ndihmuese për raportim të dhunës në familje dhe rasteve të trafikimit – 0800 111 12 – do të zgjasë tri javë dhe përfshin emetimin e spoteve në televizion e radio dhe shpërndarjen e materialeve të shtypura.
Dy publikimet e reja të prezantuara sot janë raporti i OSBE-së për gjykimin e rasteve të dhunës në familje që identifikon mangësitë dhe ofron këshilla për gjyqësorin se si të përmirësohen praktikat gjatë shqyrtimit të rasteve të tilla. Publikimi i dytë është një vështrim gjithëpërfshirës i mjeteve juridike dhe resurseve në dispozicion për viktimat, përfshirë edhe nivelin komunal, të cilat do të shpërndahen te punëtorët socialë, avokuesit e viktimave, ofruesit e strehimit dhe zyrtarët policor.
“Dhuna në familje është një nga abuzimet më të këqija. Ajo shkatërron familjet, dëmton fëmijët dhe ka efekt të vrazhdë në mbarë shoqërinë”, tha Ambasadori Werner Almhofer, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Në Kosovë, nga 1,046 rasteve të raportuara në polici në vitin 2011, 804 viktima kanë qenë gra”.
“Dhuna ndodh brenda një familjeje megjithatë kjo por nuk ka të bëjë me diçka private. Ne si shoqëri duhet të bëjmë çmos që ta parandalojmë atë dhe të ndihmojmë viktimat. Raportimi i dhunës në familje është hapi i parë krucial për identifikimin, evidentimin, ndjekjen penale të kryesve të veprave dhe mbrojtjes së viktimave”, shtoi Almhofer.
Sipas raportit, mangësitë kryesore në adresimin e rasteve të dhunës në familje nga gjykatat përfshijnë dështimin në gjykimin me kohë të kërkesave për mbrojtje të urdhrave, si dhe inkurajimit për pajtim i cili shpeshherë rezulton në përsëritje të dhunës. Raporti gjithashtu përmend që duhet të përmirësohet legjislacioni për të bërë dallimin ndërmjet urdhrit mbrojtës dhe urdhrit për mbrojtje emergjente.
Raporti pastaj do t’iu dorëzohet përfaqësuesve të gjyqësorit dhe do të diskutohet me gjyqtarë dhe prokurorë në tryezat rajonale gjatë dy muajve të ardhshëm.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Misioni përgatit raporte periodike lidhur me përgjigjet e institucioneve dhe përputhjen me standardet për të drejta të njeriut dhe mbrojtjen e tyre.
Raporti, katalogu, dhe materialet që kanë të bëjnë me fushatë mund të gjenden në: //www.osce.org/sq/kosovo/88714