Misioni i OSBE-së ndihmon arsimimin e komuniteteve të Kosovës
“Është kënaqësi të përdorësh kompjuterin në shkollë”, thotë Angjela nëntë vjeçare. Ajo dhe bashkëmoshatarët e saj Millani, Pavlli dhe Strahinja janë nxënës të klasës së tretë dhe të katërt të shkollës fillore “21 Nëntori” në fshatin Gojbulë të Kosovës qendrore. “Ne i përdorim kompjuterët për të mësuar si ta shtypim një dokument dhe si të llogarisim me te. Përdorim programe të ndryshme, por luajmë edhe lojëra, madje kemi edhe profile në facebook.”
Këta katër fëmijë po përfitojnë nga një donacion i kompjuterëve i dhuruar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë në tetor të vitit 2011 përmes fondit të tyre për mbështetje të komuniteteve etnike.
Përkrahje për komunitetet
Përafërsisht 240 serb të Kosovës jetojnë në fshatin Gojbulë, i cili gjendet në komunën e Vushtrrisë të banuar kryesisht me shqiptarë të Kosovës. Shkolla e fshatit aktualisht ka 14 nxënës. Para konfliktit të vitit 1999 numri i nxënësve ka qenë shumë më i madh, kurse shumë familje serbe të Kosovës vazhdojnë të largohen nga fshati.
Si pjesë e një projekti për të përkrahur komunitetet etnike dhe serbët e Kosovës që qëndrojnë në këtë rajon, Misioni i OSBE-së ka dhuruar dy kompjuterë dhe lidhje interneti për 12 muaj për këtë shkollë. Pajisje tjera i janë dhuruar edhe shkollave të fshatrave Syriganë, Gracë dhe Banjskë.
“Me këtë donacion ne kemi dashur t’i ndihmojnë shkollat që të ofrojnë shkollim më të mirë në fushën e kompjuterizimit, dhe të përmirësojmë cilësinë e shkollimit në përgjithësi”, thotë Katarzyna Zaremba, pjesëtare e ekipit për komunitete në qendrën rajonale të OSBE-së në Mitrovicë. “Unë kam pasur rastin të shoh kushtet e vështira në këto shkolla. Besojmë se ky projekt është një mënyrë e mirë për të përkrahur fëmijët dhe mësuesit e tyre. Ky është kontribut modest për komunitetin por shpresojmë se do të ketë efekt pozitiv në jetën e tyre të përditshme”.
Nevoja të paplotësuara
Bratislav Kostiq, mësues i gjuhës dhe letërsisë serbe në Gojbulë thekson se para donacionit të OSBE-së kanë pasur kompjuterë shumë të vjetër të cilët kanë kërkuar dhjetë minuta për të startuar. “Për mësuesit dhe nxënësit e shkollës, kompjuterët e shpejtë janë një risi e vërtetë”.
Kostiq thotë se shkolla nuk ka pajisje të mjaftueshme, dhe ka vetëm një glob dhe një mikroskop për përdorim gjatë punës praktike. Nxënësit mund të shohin eksperimente të kimisë apo fizikës në internet pasi që laboratori i shkollës nuk ka pajisje. “Nuk kemi as harta gjeografike të mjaftueshme, derisa një printer me ngjyra dhe një kamerë digjitale do të na e lehtësonin shumë punën”, shton ai.
Planet për të ardhmen
Fshatrat Gojbulë, Syriganë, Gracë and Banjskë janë mjaft të izoluara, dhe shkollat janë i vetmi vend ku mund të zhvillohen aktivitete të lira. Kështu, ekipi rajonal për komunitete i Misionit të OSBE-së po mundohet të gjejë mënyra për të pasuruar shërbimet që ofron shkolla.
“Një ide është të përkrahim mësime të specializuara në kimi, biologji ose fizikë, dhe të ofrojmë pajisje të specializuara për laboratorët e shkollës”, thotë Zaremba.
Edhe Kostiq po mundohet të gjejë përkrahje dhe pajisje për një fushë sportive para shkollës. “Kur të përmirësohet moti dhe fusha e sportit të pajiset mirë, mund të organizojmë një turne sportiv. Të gjithë do të ftohen të marrin pjesë”.
Personeli i shkollës në Gojbulë si dhe ekipi për komunitete i OSBE-së janë të gatshëm të punojnë për të ndihmuar shkollën të luaj rolin e saj si qendër për edukim, dhe për komunitet. Siç theksojnë Zaremba dhe Kostiq, që të dy do të lobojnë për të marrë përkrahje të mëtutjeshme për shkollën nga organizatat lokale dhe ndërkombëtare.
Nga Mirjana Ugrenovic dhe Nikola Gaon