Misioni i OSBE-së trajnon policinë e Kosovës për kontrollin e trazirave në përputhje me të drejtat e njeriut
Ceremonia e diplomimit të 35 pjesëtarëve të policisë të cilët kanë ndjekur një trajnim dy-javor për kontrollin e turmave dhe trazirave, i organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka përfunduar më 16 dhjetor të vitit 2011 në Vushtrri.
Trajnimi ka pasur për qëllim që të përmirësojë aftësitë e policisë së Kosovës për t’iu përgjigjur trazirave dhe demonstratave të mundshme duke qenë në harmoni me të drejtat e njeriut. Po ashtu është fokusuar në negociatat dhe teknikat e zgjidhjes së problemit, planifikimin rezervë si dhe në marrëdhënie dhe publikun.
“Ky trajnim ka pasur për qëllim shtimin e harmonisë me të drejtat e njeriut të njësive relevante të policisë së Kosovës që merren me situata të turmave dhe trazirave. Ky trajnim është kërkuar nga policia e Kosovës dhe tregon përkushtimin për përforcim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të individëve dhe komuniteteve”, tha Zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward P. Joseph.
Pesë pjesëmarrës më të mirë të trajnimit janë identifikuar si trajnues të ardhshëm të cilët do të mund t’i përcjellin njohuritë te kolegët e tyre brenda policisë së Kosovës.
Trajnimi ishte përgatitur në bazë të procedurave të policisë ekzistuese të plotësuara me ekspertizat e Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian, dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Trajnimi gjithashtu ka përfshirë raste studimi, planifikimit të stërvitjeve dhe shkëmbimit të përvojave.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar për promovim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut, ngritje të demokracisë dhe zhvillimit të sektorit të sigurisë publike. Misioni ofron trajnim të avancuar të policisë dhe ndihmon në zhvillim të kapaciteteve të agjencive të sigurisë publike.