Shefi i Misioni të OSBE-së në Kosovë bën thirrje për respektim të plotë të drejtave të njeriut dhe komuniteteve
PRISHTINЁ, 9 dhjetor 2011 – Ambasadori Werner Almhofer, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, në prag të Ditës Ndërkombëtare për të Drejta të Njeriut më 10 dhjetor, ka bërë sot këtë deklaratë:
“Më shumë se 12 vite kanë kaluar që nga konflikti në Kosovë. Që nga ajo kohë është arritur shumë përparim siç është fusha e sigurisë dhe liria e lëvizjes, marrëdhëniet ndër-etnike dhe qasja në drejtësi.
“Mirëpo, ne ende jemi dëshmitarë që po përsëritet shkelja e të drejtave të njeriut. Prandaj është e domosdoshme për ne të gjithë – liderë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe institucione, dhe në tërësi për shoqërinë në Kosovë – që të bëjmë çmos për të siguruar respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe komuniteteve.
“Ende ka dhjetëra- mijëra persona të zhvendosur, nga të gjitha komunitetet, të cilët nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre të para-konfliktit, dhe as që u janë ofruar tjera zgjidhje të qëndrueshme dhe të përshtatshme. Uzurpimi ilegal i vazhdueshëm dhe plaçkitjet e përsëritshme të pronave të tyre si dhe mospranimi jo i shpeshtë nga komunitetet, gjithashtu mbetet problem.
“Vjedhjet dhe vandalizmi kundër lokacioneve kulturore dhe fetare vazhdon dhe në këtë mënyrë i kontribuojnë mostolarancës dhe keqkuptimit mes komuniteteve të ndryshme.
“Megjithëse ne të gjithë dëgjojmë për këto probleme shumë shpesh, sot është dita për të theksuar që këto çështje duhet të adresohen më tutje.
“Ekziston një kornizë ligjore solide që rregullon mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe është themelore që kjo të implementohet nga institucionet. Ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë të ndihmojmë në këtë drejtim.
“Ne duhet gjithashtu të përmendim që aftësia e institucioneve të Kosovës për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe sigurojë sundimin e ligjit nganjëherë pengohet nga kërcënimet ndaj gjykatësve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet, gjatë dhe jashtë orarit të punës, ndërsa ka edhe supozime për keqtrajtime të personave që gjinden në arrest.
“E fundit por jo më pak e rëndësishme, të drejtat e njeriut për grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara në Kosovë, siç janë personat me aftësi të kufizuara, gra, fëmijë, viktima të dhunës familjare ose persona të trafikuar, ende nuk respektohen, mbrohen dhe përmbushen plotësisht.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka të njohur përkushtimin e qeverive të nivelit qendror dhe lokal në përputhje me ligjin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve. Megjithatë, nevojiten përpjekje shtesë për t’i adresuar këto sfida të të drejtave të njeriut. Ne jemi veçanërisht të inkurajuar nga roli i shtuar i organizatave të shoqërisë civile, të cilat janë duke e fokusuar vëmendjen në këto çështje të të drejtave të njeriut dhe punojnë me qeverinë për t’i zgjidhur ato.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i përkushtuar për të punuar me të gjitha institucionet relevante në Kosovë, vendore dhe ndërkombëtare, për të mbështetur procesin e kthimit dhe implementimin e të drejtave pronësore, të avancojë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit, si dhe të ndihmojë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të gjithë personat e cenueshëm në Kosovë”.
Misioni i OSBE-së në Kosovë, i themeluar në vitin 1999 është i mandatuar për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin e sigurisë publike.