Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon konferencë vjetore për gjyqësorin
PRISHTINЁ, 3 dhjetor 2011 – Më shumë se 250 gjykatës u takuan sot në konferencën vjetore për gjyqësorin për të shqyrtuar sfidat me të cilat ballafaqohet gjykata supreme dhe gjykatat e qarkut në administrimin e drejtësisë dhe për të avancuar strategjitë për t’i tejkaluar këto sfida. Konferenca është organizuar nga Misioni i OSBE-së, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Supreme dhe Institutin Gjyqësor të Kosovës.
“Kjo konference, e para e llojit të vet, bashkon këtu pothuaj të gjithë gjykatësit nën administrimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjykatësit e Kosovës do të ketë rastin të japin kontribut kyç në procesin e reformimit të sistemit gjyqësor, duke e avancuar strategjinë për implementimin e kornizës së re legjislative,” tha ushtruesi i detyrës së Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph.
“Implementimi i kësaj kornize të re do të duhej të kontribuonte thellësisht në pavarësinë e gjyqësorit, duke qenë se i definon më qartë rolet e gjykatave të ndryshme.”
Pas përfundimit të procesit të verifikimit të gjykatësve dhe prokurorëve në tetor të vitit 2010, sistemi gjyqësor në Kosovë po ristrukturohet tërësisht ashtu siç është paraparë me kornizën e re legjislative, e sidomos me shpërbërjen e Gjykatës për Kundërvajtje dhe me krijimin e degëve të gjykatave. Një pjesë e legjislacionit të ri ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2011, kurse dispozitat tjera do të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2013, duke sjellë kështu përmirësime dhe sfida të reja e sistematike.
Një strategji për të implementuar dispozitat e reja ligjore dhe për të ristrukturuar gjykatat është hartuar në konferencë. Implementimi i saj do të filloj së shpejti në nivelin e gjykatave të qarkut.
“Legjislacioni i ri mbi gjykatat do ta përmirësoj punën e gjyqësorit si tërësi, duke inkurajuar ndarjen e drejtësisë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe efektive,” tha kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani. “Kjo do të ndihmoj në qëllimin tonë për ta shtuar besimin e publikut në punën e gjyqësorit.”
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. OSBE monitoron gjykatat dhe u ndihmon atyre të tejkalojnë mangësitë sistematike duke i këshilluar dhe duke e përkrahur edukimin e vazhdueshëm të gjykatësve dhe prokurorëve.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës pritet të marrë përsipër organizimin e konferencave vjetore në të ardhmen.