Misioni i OSBE-së dhe policia e Kosovës lansuan fushatën për siguri në trafik
Zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph dhe Ndihmësi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për Operacione, Shefqet Beqaj lansuan një fushatë për sigurinë në trafik për vozitës dhe këmbësorë, më 28 tetor 2011.
“Gjatë dy viteve të fundit, 318 persona kanë humbur jetën në aksidente të trafikut në Kosovë. Mendoni tragjedinë për të gjitha këto familje. Kjo është e papranueshme dhe ne të gjithë duhet të bëjmë çmos ta zvogëlojmë këtë numër”, tha Joseph.
“Qëllimi i fushatës është që të parandalohen aksidentet në trafik dhe të ndihmohet në ruajtjen e jetëve. Porositë e fushatës janë të thjeshta – lidhu, vozit ngadalë dhe kushtoji kujdes kur ecë apo e kalon rrugën”.
Në kuadër të kësaj fushate do të vendosen 12 modele të automobilave të policisë në përmasat reale me moton “Patrulla e Dytë” në rrugët kryesore nëpër tërë Kosovën në përpjekje për të ngritur vetëdijen dhe për t’i inkurajuar vozitësit që të ulin shpejtësinë. Përveç kësaj, 300.000 fletëpalosje në gjuhët shqipe, serbe, turke dhe angleze që ofrojnë udhëzime për siguri do të shpërndahen nga patrullat e trafikut.
Misioni i OSBE-së është aktivisht duke i ndihmuar zhvillimit të sektorit të sigurisë publike në Kosovë. Misioni ndihmon policinë në përfshirjen e publikut përmes policisë në bashkësi dhe iniciativave lidhur me vetëdijesimin për siguri.
“Patrulla e Dytë” është fushata e tretë për siguri në trafik e mbështetur nga Misioni i OSBE-së që nga viti 2008.