Misioni i OSBE-së në Kosovë inkurajon bashkëpunim rajonal për gazetarët hulumtues
Një konferencë rajonale e organizuar nga Misioni i OSBE-së për rreziqet dhe sfidat me të cilat gazetarët hulumtues ballafaqohen gjatë qasjes në informata ka mbledhur në Prishtinë gazetarë nga Beogradi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva, Shkupi dhe Tirana më 21 tetor në Prishtinë.
“Zbulimi i së vërtetës për çështje të rëndësishme dhe shpeshherë kontradiktore është punë e rëndë por është vendimtare për zhvillimin e demokracisë,” tha Zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph.
“Gazetarët hulumtues ende pengohen në punën e tyre nga presioni politik dhe ekonomik, por kjo nuk është arsye për tu dorëzuar. Gazetarët duhet të jenë të vendosur, të forcojnë bashkëpunimin dhe të ndihmojnë njëri tjetrin gjatë ballafaqimit me sfida”, shtoi Joseph. “Ngjarja e sotme synon që tu ndihmojë gazetarëve të krijojnë kontakte dhe të shkëmbejnë informata dhe këshilla praktike se si të përballen me këto sfida”.
Gazetarët bënë thirrje për më shumë trajnime profesionale, financim më të mirë, mbulim deri në fund të storieve hulumtuese nga mediat, dhe mbështetje të mëtutjeshme ndërkombëtare për ta kundërshtuar presionin që iu bëhet gazetarëve në rajon.
“Gjendja e gazetarisë hulumtuese në Kosovë nuk dallon shumë nga ajo e rajonit. Gazetarët e njohin mirë profesionin e tyre, por kanë nevojë për kushte më të mira të punës. Kam vërejtur që gazetarëve hulumtues u mungon mbështetja madje edhe nga vet mediumet për të cilat punojnë. Kjo nganjëherë rezulton në mungesë të motivimit për të bërë gazetari hulumtuese”, tha Zëvendës Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Arsim Lani.
Kjo ishte konferenca e tretë rajonale për gazetarinë hulumtuese e organizuar nga OSBE. Më parë është mbajtur një konferencë në Beograd në nëntor të vitit 2010 dhe një tjetër në Prishtinë në maj të vitit 2011.
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i përkushtuar për të mbështetur zhvillimet demokratike dhe lirinë e mediave.