OSBE ndihmon bashkëpunimin e policisë dhe prokurorisë me mediat
Një seri e sesioneve të trajnimit për policë, prokurorë dhe gazetarë në gjashtë rajone, përfundoi më 30 qershor në Prishtinë.
Kursi i organizuar nga Misioni i OSBE-së u fokusua në rolin e mediave në vëzhgimin e punës të agjencive për zbatim të ligjit dhe mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin dhe komunikimin ndërmjet zyrave të prokurorëve, policisë dhe mediave.
“Trajnimet tona u fokusuan në të drejtat dhe obligimet e secilës palë në çështje të raportimit të punës së policisë dhe seancave gjyqësore dhe në informimin e publikut”, tha Carsten Twelmeier, Drejtor i Departamentit për Siguri Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Kursi mbuloi tema siç janë korniza ligjore dhe terminologjia ligjore dhe policore. Aty gjithashtu u theksuan praktikat më të mira të agjencive për zbatim të ligjit në punën me mediat. Këtu u përfshinë informimi i gazetarëve rreth rasteve që janë në proces dhe ftesa për ta që të raportojnë nga vendi i hetimit, informimi i mediave rreth rezultateve dhe kur rastet janë të mbyllura, duke ofruar fotografi dhe resurse për gazetarë në vendet e policisë.
“Ky kurs na ndihmoi t’i përmirësojmë marrëdhëniet tona me gazetarët”, tha Besim Kelmendi nga Zyra e Prokurorit Special të Kosovës. “Zyra e Prokurorit po përpiqet që të jetë më transparente dhe së fundi ne kemi themeluar një zyrë informimi ku publiku dhe mediat mund të marrin informacione rreth rasteve që janë në procedurë dhe atyre të mbyllura”, shtoi Kelmendi.
Më shumë se 120 pjesëmarrës, përfshirë 90 gazetarë, ndoqën sesionet të cilat janë mbajtur në Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Prizren dhe Prishtinë.
Në vazhdim, Misioni i OSBE-së do të publikojë rekomandime se si të përmirësohet bashkëpunimi ndërmjet mediave dhe agjencive për zbatim të ligjit si dhe do të mbajë një kurs shtesë për hartimin dhe zbatimin e fushatave të vetëdijesimit për siguri publike.
Misioni i OSBE-së është duke ndihmuar zhvillimin e një sektori të qëndrueshëm të sigurisë publike ën Kosovë.