Misioni i OSBE-së promovon përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara
Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me ‘Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim’ (QKSPEZH) dhe OJQ-në ‘Organizata e Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Kosovë’ (OPFAKOS) organizuan ‘Mini-Lojërat Olimpike’ për fëmijët me aftësi të kufizuara në Vushtrri më18 dhe19 qershor 2011.
‘Mini Lojërat Olimpike’ kishin për qëllim promovimin e integrimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara, vetëdijesimin e publikut për aftësitë e tyre, dhe rritjen e besimit dhe bashkëpunimit mes tyre dhe ofruesve të sigurisë publike.
Rreth 450 fëmijë, prindërit dhe kujdestarët e tyre dhe të rinj nga komunitetet e ndryshme lokale kanë marrë pjesë në këtë ngjarje dyditore. ‘Mini Lojërat Olimpike’ përfshinë gara me karroca, pikado dhe hendboll, si dhe gara në shah. Mini lojërat e para Olimpike janë organizuar në vitin 2005.
Edward P. Joseph, zëvendës shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, i ka hapur lojërat, duke shtuar se kjo ngjarje vjetore i bashkon anëtarët e të gjitha komuniteteve të cilët dëshirojnë të punojnë për një të ardhme më të mirë.
“Kjo është hera e shtatë që OSBE ka privilegjin t’i mbështes ‘Mini Lojërat Olimpike’ që tani janë kthyer në lojëra tradicionale. Unë i shpreh mirënjohje kryetarit të QKSPEZH për mbështetje, dhe të gjithë pjesëmarrësve të cilët kanë shprehur gatishmëri që të jenë pjesë e kësaj ngjarje”, tha Joseph.