Misioni i OSBE-së ndihmon personat e zhvendosur të kenë kushte minimale strehimi
“Të gjithë na kanë harruar,” thotë Olgica Subotic, “edhe qeveria e Serbisë edhe qeveria e Kosovës, të gjithë.” Olgica, serbe e Kosovës, është 59 vjeçare dhe që nga trazirat e marsit të vitit 2004 ajo jeton në vendbanimin e improvizuar të Voçarit në Gracanicë.
Vendbanimi, i emëruar sipas kompanisë së perimeve Voçar, parkingu i të cilës tani është adresa e Olgicës, përbëhet prej 35 kontejnerëve ushtarak që shërbejnë si shtëpi. Katër shtretër, një dollap, një frigorifer, një stufë gatimi dhe një tavolinë buke mbushin hapësirën prej 10 metrave katrorë. Olgica thotë se kontejnerët e metalit kanë izolim të dobët, prandaj janë shumë të nxehtë në verë kurse shumë të ftoftë në dimër. “Gjatë verës nganjëherë flejë afër frigoriferit të hapur,” thotë ajo.
Olgica është nga Obiliqi, qytezë në perëndim të Prishtinës, ku ka jetuar në një ndërtesë shoqërore derisa është detyruar të largohet pas trazirave të dhunshme, të cilat, sipas Amnesty International, kanë detyruar rreth 4,450 serb, shqiptarë, romë dhe ashkalinjë të zhvendosen. “Së pari na kanë dërguar në stacionin e policisë për të na mbrojtur,” tregon ajo. “Pastaj, KFOR-i [forca e sigurisë e NATO’s në Kosovë] dhe policia na kanë dërguar në Gracanicë. Së pari na vendosën në një kamp ushtarak, pastaj pas dy javëve na dërguan në Voçar.”
Olgica jeton aty tashmë pesë vite. Tri vajzat e saj, të cilat kanë jetuar me të, janë martuar në ndërkohë dhe janë larguar. Olgica ka qëndruar sepse nuk ka ku të shkoj.
Mungesë e përgjegjësive institucionale
Predrag Vasić, shef i zyrës për komunitete në komunën e Prishtinës, shpjegon se kontejnerët janë donacion i ushtrisë ruse për komisariatin serb për refugjatë. Komuna e Prishtinës e ka aprovuar hapësirën e parkingut si lokacion të vendbanimit.
“Kontejnerët janë zyrtarisht pronë e komisariatit serb për refugjatë, kështu që komuna nuk ka të drejtë t’i menaxhoj,” thotë Predragu. “Në anën tjetër, komisariati për refugjatë nuk i njeh institucionet e Kosovës dhe nuk bashkëpunon me to, përfshirë policinë dhe gjykatat, kështu që në rast të ndonjë problemi në vendbanim, komuna nuk ka ndonjë mekanizëm ligjor për ta zgjidhur.”
Predragu thekson se ata kanë vetëm një marrëveshje verbale për të ndihmuar në raste urgjente.
Në vitin 2004, vendbanimi është pajisur me kontejnerë sanitar që kanë përfshirë banjo të përbashkët dhe hapësirë për larje të rrobave. Lavamanë të përbashkët përdoren për larjen e enëve pasi mungon uji nëpër kontejnerët tjerë.
Edhe pse kontejnerët ofrojnë kushte të mjaftueshme për një kohë të shkurt, jeta në to behët e mjerueshme në afat më të gjatë. Asnjë njeri nuk është zyrtarisht i ngarkuar me menaxhimin dhe mirëmbajtjen e vendbanimit, kështu që banorët nuk kanë kujt t’i drejtohen kur diçka nuk shkon.
Ndihma e OSBE-së
“Një numër i madh i njerëzve i përdorin pajisjet sanitare në Voçar prandaj gjendja e tyre është e tmerrshme,” thotë Chiara Lorenzini, nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Kur Chiara dhe ekipi i saj vizituan vendbanimet joformale këtë vit, ata panë se në Voçar 10 dusha ishin prishur, nga 16 sa janë gjithsejtë, 15 tualete nga gjithsejtë 18 kishin nevojë për t’u rregulluar, dhe 4 nga 5 lavatriçet nuk punonin si duhet.
“Pasi nuk është në mandatin tonë të menaxhojmë me vendbanimin apo të zgjidhim çështjet ligjore, krejt çka mund të bëjmë është të mundohemi t’i përmirësojmë kushtet për njerëzit që jetojnë këtu,” shpjegon Chiara. Ajo dhe ekipi i saj hartuan një projekt për renovim, i cili do të financohet nga Fondi për Ndihmë Komuniteteve Etnike të Misionit të OSBE-së, i themeluar në vitin 2000 nga kontributet financiare të vendeve anëtare të OSBE-së.
“Vendosëm të renovojmë dhe rregullojmë pajisjet sanitare ekzistuese dhe të blejmë dy lavatriçe të reja, por dëshironim që edhe komuna të angazhohej. Kështu që ne do të financojmë 90% të projektit kurse komuna 10%,” thotë Chiara. Komuna ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj dhe renovimet do të fillojnë së shpejti.
Fondi për Ndihmë Komuniteteve Etnike
Gjatë nëntë viteve të fundit, përmes këtij Fondi janë investuar mbi 1.7 milion Euro në aktivitete që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës të komuniteteve jo-shumicë në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe në përkrahjen e kthimit, qëndrimit dhe pajtimit të personave të zhvendosur. Aktivitetet variojnë nga renovimi i pajisjeve dhe infrastrukturës deri te trajnimet profesionale dhe kurset për gjuhë të huaja, duke i përmbushur nevojat e komuniteteve të ndryshme. Fondi do të vazhdoj deri në sigurimin e përkrahjes së qëndrueshme për komunitetet jo-shumicë, personat e zhvendosur dhe të kthyerit.
Përkrahja për vendbanimin në parkingun e Voçarit do të ndihmoj, por jeta në ata kontejnerë nuk është zgjidhje e qëndrueshme Olgica nuk e di edhe për sa kohë do ta quajë shtëpi: “Them se kjo do të jetë shtëpia ime derisa të më dërgojnë diku tjetër.”