Pjesëmarrësit e konferencës së OSBE-së në Kosovë bëjnë thirrje për themelimin e një komisioni për gazetarët e vrarë dhe të zhdukur
PRISHTINË, 15 shkurt 2017 – Konferenca e OSBE-së për sigurinë e mediave në Evropën juglindore është përmbyllur mbrëmë me miratimin e disa rekomandimeve, ndër të cilat edhe për themelimin e një komisioni për të hetuar rastet e gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur në Kosovë; sigurimin e mbrojtjes së veçantë për gazetarë, si dhe ndjekjen adekuate të autorëve të kërcënimeve dhe frikësimeve të gazetareve femra.
Në konferencë morën pjesë mbi njëqind përfaqësues të shoqatave të gazetarëve, mediave, dhe shoqërisë civile nga Beogradi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva, Shkupi dhe Tirana, të cilët diskutuan për progresin e arritur në hetimin e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur, modelet rajonale për trajtimin e kësaj çështjeje, si dhe kërcënimet me të cilat ballafaqohen gazetaret femra që raportojnë online. Pjesëmarrësit shqyrtuan edhe nismat e përpjekjet e ndryshme për të garantuar sigurinë e gazetarëve.
“Është mëse e qartë se gazetarët janë porta drejt transparencës dhe llogaridhënies. Informatat e tyre duhet të shërbejnë si katalizator për një diskurs publik të informuar e relevant. Diskursi publik i informuar është parakusht për shoqëri funskionale, të hapur dhe demokratike,” tha Jan Braathu, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë do t’ua prezantojë listën e plotë të konkluzioneve dhe rekomandimeve palëve të interesit, si dhe në konferencën e nivelit të lartë për “Lirinë e Mediave në Ballkanin Perëndimor” që do të mbahet me 27 shkurt në Vjenë.
Gjatë kësaj ngjarje, u lansua edhe një fushate vetëdijësuese për sigurinë e gazetarëve. Fushata, e përkrahur nga Austria dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), do të ketë për element kryesor videon “Ndale pandëshkueshmërinë menjëherë,” që do të transmetohet në televizionin publik të Kosovës në dy vitet e ardhshme. Videon mund ta gjeni në //www.osce.org/sq/kosovo/299496
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbështet zhvillimin e mediave të lira, të pavarura, paanshme dhe profesionale në Kosovë si një komponent integral i shoqërisë demokratike.