Siguria e gazetarëve parakusht për lirinë e fjalës dhe mediat e lira, thotë kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë
Me rastin e Ditës ndërkombëtar kundër mosndëshkueshmërisë për krimet ndaj gazetarëve, kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu, iu ka bërë thirrje të gjitha institucioneve relevante në Kosovë që të vazhdojnë të punojnë drejt sigurimit të kushteve të punës pa kufizime për mediat.
“Deri në fund të shtatorit 2016, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka regjistruar tetë raste të kërcënimeve apo sulmeve kundër gazetarëve. Derisa çfarëdo kërcënimi apo sulmi kundër profesionistëve të mediave të cilët janë duke e kryer detyrën e tyre është brengosës, po e theksojmë që ka një përmirësim në krahasim me 27 rastet e dhunës ndaj gazetarëve që kishin ndodhur gjatë vitit 2015.”
“Siguria e gazetarëve është parakusht për lirinë e fjalës dhe media të lira. Andaj, i inkurajoj institucionet që merren me veprat penale të kryera ndaj gazetarëve që të ofrojnë reagim sistematik, hetime të shpejta dhe shqyrtim me kohë të rasteve të tilla,“ tha Ambasadori Braathu.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes si dhe mbështet zhvillimin e një mjedisi medial profesional e pluralist.