Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm fillon në shtëpi – thuhet në konferencën e mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë
Përballja me ekstremizmin e dhunshëm që shpie në terrorizëm (VERLT) kërkon një strategji gjithëpërfshirëse dhe të vendosur, në të cilën familjet, mësuesit, policët e komunitetit dhe prijësit fetarë luajnë rol të rëndësishëm –thanë pjesëmarrësit e konferencës ndërkombëtare që u mbajt në Prishtinë më 26-27 tetor 2016.
Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Punëve të Brendshme, me mbështetje të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Për dy ditë, rreth 200 përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme nga e mbarë bota, duke përfshirë Austrinë, Belgjikën, Francën, Finlandën, Gjermaninë, Izraelin, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanja, Suedia, Turqia, vendet e Evropës Juglindore, dhe INTERPOL-i, ndanë praktikat më të mira në identifikimin dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm, si dhe shqyrtuan mënyrat e reja për parandalimin dhe përballjen me këtë fenomen. Përveç kësaj, dy të kthyer nga zona e konfliktit në Siri ndanë përvojat personale si ish-luftëtarë.
Pjesëmarrësit theksuan se nuk ka shtytës uniform që mund të shpien deri të radikalizmi i dhunshëm ekstremist, dhe se çdo individ mund të ndikohet nga faktorë të ndryshëm, varësisht nga përkatësia kulturore, politike, ekonomike e sociale. Të gjithë identifikuan Internetin si ndihmues të procesit të radikalizimit. Ata gjithashtu cekën se parandalimi fillon në shtëpi dhe në komunitet, dhe se familja, mësuesit, policia e komunitetit dhe prijësit fetarë luajnë rol të rëndësishëm në identifikimin e hershëm të radikalizimit të dhunshëm.
Puna me sektorin e arsimin gjithashtu u theksua si element i rëndësishëm në luftimin e ekstremizmit. Panelistët nënvizuan nevojën për t’i aftësuar mësimdhënësit lidhur me rrezikun e radikalizmit si dhe rëndësinë e zhvillimit të shkathtësive të mendimit kritik, si dhe hartimin e kurrikula që përfshijnë ndërgjegjësimin mbi rrezikun e ideologjive radikale dhe ekstreme.
“Nuk duhet ta harrojmë faktin se në masë të madhe kemi të bëjmë me çështje vlerash, mentalitetit dhe perceptimesh. Kjo është luftë ideologjike”, tha Jan Braathu, Kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Kjo nuk është luftë midis feve; është luftë për vlera të përbashkëta”.
Rekomandimet e konferencës do të shqyrtohen me organizatat partnere gjatë rishikimit vjetor të Strategjisë dhe planit të veprimit të Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, që do të mbahet me 4-6 nëntor 2016.
Konferenca i ka kontribuar edhe Fushatës së OSBE-së Së Bashku Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm #UnitedCVE