OSBE nis konsultat për financim të qëndrueshëm e të pavarur të transmetuesit publik të Kosovës
PRISHTINË, 14 mars 2016 – Misioni i OSBE-së në Kosovë mbajti sot tryezën e parë të rrumbullakët nga gjithsej katër sa do të mbahen këtë muaj mbi mënyrat për të siguruar financim për transmetuesin publik, Radio-Televizionin e Kosovës (RTK).
Me këto tryeza, Misioni do të konsultojë një spektër të gjërë ekspertësh – gazetarë, deputetë të Kuvendit, akademia, përfaqësues të OJQ-ve dhe institucioneve të mediave – rreth ndikimit që ka mungesa e financimit në transmetuesin publik dhe në politikën redaktuese, si dhe në zhvillimin e mëtejmë të tij.
RTK nuk ka pasur financim të qëndrueshëm që nga viti 2009, kur gjykata suspendoi financimin e RTK-së përmes faturave të energjisë elektrike, me shqetësimin e shprehur për diskriminim dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
“Jemi në vitin 2016 dhe ende janë duke u konsideruar opsionet e mundshme e të qëndrueshme të financimit të RTK-së, në pritje të një vendimi final. Çështjet e vazhdueshme që kanë të bëjnë me mekanizmin e financimit dhe me Ligjin për RTK duhet të zgjidhen menjëherë,” tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Pa financim të qëndrueshëm, transmetuesi publik nuk mund të zhvillohet, gjegjësisht të ofrojë shërbim të plotë për audiencën e tij. Veç kësaj, vonesat e deritanishme në procesin e digjitalizimit vetëm sa përkeqësohen nga mungesa e financimit,” shtoi ai.
Tryezat do të pasohen nga një konferencë rajonale në muajin prill, me pjesëmarrje të ekspertëve nga Ballkani Perëndimor dhe Unioni i Transmetuesve Evropian (EBU), për të nxjerrë rekomandime për konsideratë nga institucionet relevante gjatë ndryshimit dhe zbatimit të Ligjit për RTK.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizim, dhe zhvillim të sektorit të sigurisë publike. Ai ndihmon në ruajtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si dhe vepron në përkrahje të zhvillimit të mediave.