Pjesëmarrëset e Nismës ‘Na Ndiqni’ të mbështetur nga OSBE me plan veprimi për 2016
Më 12-14 shkurt 2016, me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Misionit të OSBE-së në Serbi, Nisma ‘Na Ndiqni’ mbajti takimin e parë për 2016 në Shkup. Në takim morën pjesë 18 gra të shquara nga fusha të ndryshme si politika, mediat, jeta akademike e shoqëria civile nga Prishtina e Beogradi, me qëllim vlerësimin e arritjeve dhe planifikimin e aktiviteteve të ardhshme.
Pjesëmarrëset shqyrtuan sukseset e Nismës si Akademia e Dialogut për gratë e reja nga Beogradi e Prishtina, si dhe promovimi i dialogut përmes dokumentarit 'Na Ndiqni’. Duke ditur rëndësinë e përfshirjes së mëtejme të më shumë grave në këtë proces për të zgjeruar dialogun në sektorë të ndryshëm, ato u pajtuan për një plan veprimi të aktiviteteve konkrete për vitin 2016. Përveç kësaj, pjesëmarrëset zhvilluan korniza afat-gjata veprimi në fusha kryesore që ndikojnë në jetën e grave dhe barazinë e tyre.
Në një deklaratë të përbashkët, anëtarët e Nismës 'Na Ndiqni' thanë: “Jemi pajtuar që të zbatojmë aktivitete të përbashkëta në fusha si: fuqizimi ekonomik i grave, çështjet gjinore në arsim, parandalimi i dhunës me bazë gjinore, pjesëmarrja dhe përfaqësimi politik i grave në të gjitha nivelet, sensibilizimi i mediave rreth çështjeve gjinore dhe portretizimi i grave në media e në jetën publike, si dhe promovimi i dialogut ndërmjet të rinjve.
Ne gjithashtu rikonfirmojmë rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit, si dhe theksojmë kontributin e grave në këtë aspekt, duke ndërmarrë hapa konkret në afrimin e dy shoqërive.”