Toleranca ka rëndësi! Të rinjtë në Kosovë thyejnë paragjykimet
Në shoqëritë pas konfliktit, ndërtimi i marrëdhënieve dhe pajtimi nuk janë asnjëherë të lehta, dhe Kosova nuk është përjashtim. Marrëdhëniet në mes grupeve etnike mbeten të brishta dhe të ndjeshme, dhe shpesh kërkojnë shumë punë për të vendosur ose përmirësuar lidhjet.
Situata mund të jetë veçanërisht sfiduese kur bëhet fjalë për të rinjtë. Sisteme arsimimi të ndara, gjuhë të ndryshme dhe mungesë e ngjarjeve të përbashkëta kufizojnë ndërveprimin dhe mundësitë e tyre për ta njohur njëri-tjetrin.
“Një ambient i tillë është i favorshëm për krijimin e stereotipave dhe paragjykimeve, dhe mund të shkaktojë më shumë ndarje në mes të grupeve të ndryshme etnike që jetojnë në Kosovë,” thotë Nikola Petrovski, Këshilltar për të Drejta të Njeriut në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Ndryshimet në terren
“Ne në Misionin e OSBE-së në Kosovë konsiderojmë se ka nevojë për përmirësim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë. Ka mungesë komunikimi dhe kontakti të drejtpërdrejtë në mes të komuniteteve të ndryshme, dhe kjo gjë duhet të ndryshoj,” thotë Nikola. Sipas tij, një nga mënyrat për të tejkaluar këtë situatë është të punohet drejtpërdrejtë me të rinjtë, të dëgjohen mendimet e tyre dhe të inkurajohen institucionet në nivel lokal dhe qendror të marrin në konsideratë idetë dhe propozimet e tyre dhe të hartojnë aktivitete që do të promovonin dialogun dhe marrëdhëniet në mes të komuniteteve.
Bashkëpunimi ndëretnik
“Në vitin 2013, katër komuna në rajonin e Gjilanit nënshkruan deklaratë për bashkëpunim ndëretnik, kurse këtë vit tri të tjera, Kllokoti, Shtërpca, dhe Ferizaj bënë të njëjtin zotim.
Nikola shpreson se të gjitha komunat do të ndjekin hapat e këtyre shtatë komunave të rajonit të Gjilanit, pasi që përkrahja institucionale është qenësore për procesin e përgjithshëm të pajtimit.
Paragjykimet ekzistojnë, por ekzistojnë edhe mënyrat për t’i tejkaluar ato
Në gusht 2015, Misioni ka organizuar një kamp rinor në Bogë, Rugovë, në përpjekje për të bashkuar të rinj nga komunitete të ndryshme. Kampi kishte më shumë se 30 pjesëmarrës , të cilët morën pjesë në debate dhe aktivitete, shprehën hapur qëndrimet e tyre rreth marrëdhënieve dhe diskutuan mënyrat se si t’i përmirësojnë ato.
“Nëse dëshirojmë të ardhme më të mirë duhet të punojmë së bashku drejt saj,” thotë Valdete Osmani (23), studente e komunitetit Ashkali nga Ferizaj.
Të rinjtë pjesëmarrës në kampin e organizuar nga OSBE pranojnë se në rrethana tjera ata nuk kanë mundësi për tu shoqëruar dhe takuar me bashkëmoshatarë të tyre nga komunitete tjera. Lluka Dogančić, (18), është serb i Kosovës nga Shtërpca. Burimi i tij kryesor i informacionit për komunitetet tjera është interneti e jo kontakti i drejtpërdrejtë dhe atij i ka pëlqyer fakti “që të gjithë janë mbledhur në të njëjtin vend.”
Kam pasur kontakt me shqiptarë në të kaluarën por kjo është hera e parë që takoj dikë nga komuniteti Ashkali. Sa më shumë që mësoj për të tjerët, aq më mirë. Jam i sigurt se kam bërë disa shokë këtu, dhe shpresoj se do të mbesim në kontakt.
Lluka Dogančić serb i Kosovës nga Shtërpca
Valdetja thotë se vështirësia më e madhe ishte gjetja e një gjuhe për të komunikuar me bashkëmoshatarët. Disa flisnin gjuhën angleze, por disa tjerë jo. “Përfunduam duke përdorur gjuhën e trupit, dhe funksionoi.” Para se të merrte pjesë në kamp, Valdetja po ashtu besonte se pjesëtarët e komunitetit serb nuk ishin të hapur dhe të gatshëm të shoqërohen.
Gjatë kampit, Blerina Nazifit, (18) shqiptare e Kosovës dhe studente e matematikës nga Ferizaj, më së shumti i kanë pëlqyer debatet që promovonin diversietin dhe mendimet ndryshe. “Më pëlqeu të sfidoja durimin tim gjatë diskutimeve, të dëgjoja dhe t’i lija të tjerët të flasin. Më pëlqeu edhe fakti që mund të takoja aq shumë të rinj nga komunitete të ndryshme. Por përfundimisht ajo çka do të doja të shoh më shumë është të rinj nga qytete dhe komuna të ndryshme, jo vetëm nga rajoni i Gjilanit, që marrin pjesë në aktivitete të ngjashme,” thotë Blerina.
Planifikimi për të ardhme më të mirë
Ky ishte pikërisht rezultati që Nikola dëshironte të shihte – etje nga të rinjtë të mësojnë gjëra të reja, të shoqërohen, të shprehin mendimet hapur, dhe të japin propozime se si të përmirësojnë marrëdhëniet në mes të komuniteteve në Kosovë. Një tjetër zotim i tij ishte që të merrte parasysh propozimet e mbledhura gjatë kampit dhe bazuar në to t’i inkurajonte komunat të planifikojnë aktivitetet e tyre.
“Kemi dëgjuar disa propozime konstruktive këtu, dhe shpresoj se do të materializohen në të ardhmen,” thotë Nikola. Propozimet përfshijnë aktivitete të përbashkëta sportive, orë për mësimin e gjuhëve, debate për të rinj dhe më shumë shoqërim. “Nëse të rinjtë kështu e shohin mënyrën për të përmirësuar marrëdhëniet, ne jemi të gatshëm të ofrojmë përkrahje. Edhe institucionet duhet ta bëjnë pjesën e tyre,” përfundoi ai.
Blerina, Valdetja dhe Lluka besojnë se një e ardhme më e mirë është e mundur. Kjo kërkon angazhim dhe përkushtim, por ata janë të bindur se kjo ditë do të vjen nëse vazhdojnë të bashkëpunojnë siç kanë bërë gjatë kampit.