Grupi punues teknik për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova u takua për të çuar procesin përpara
PRISHTINË, 1 shtator 2015 – Masa të rëndësisë së veçantë për të avancuar zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova ishin në fokus të takimit të grupit punues teknik i cili u mbajt sot në Prishtinë në organizim të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe përkrahur nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR).
Pjesëmarrësit nga Beogradi, Prishtina dhe Podgorica diskutuan masa praktike për të adresuar çështjet që afektojnë të drejtat pronësore, dokumentet personale, sigurinë, dhe menaxhimin e të dhënave, për të përkrahur kthimin dhe zgjidhje tjera të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova.
Këto masa do të elaborohen edhe me tej dhe më pastaj do të propozohen për tu miratuar nga forumi politik i nivelit të lartë që është paraparë të mbahet në fund të shtatorit në Mal të Zi.
Takimi i sotëm i grupit punues teknik, dhe takimi i mëhershëm përgatitor i grupit punues teknik organizuar në Prishtinë në korrik 2015, janë vazhdimësi të procesit të iniciuar në konferencën e nivelit të lartë të organizuar nga OSBE në Shkup në nëntor të vitit 2014. Pjesëmarrës në proces janë përfaqësues institucional nga Beogradi, Prishtina, Podgorica dhe Shkupi.