OSBE trajnon Policinë e Kosovës në teknikat e intervistimit hetimor
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përfunduar me 19 qershor 2015 në Vushtrri një trajnim të avancuar dy-javor rreth teknikave të intervistimit hetimor.
Në trajnim kanë marrë pjesë 20 pjesëtarë të policisë, të cilët mësuan për modelet e intervistimit të viktimave, dëshmitarëve dhe të dyshuarve, si aspekt esencial i procesit hetimor. Trajnimi ka adresuar edhe dallimin në mes të intervistave dhe marrjes në pyetje, rëndësinë e rregullimit të dhomës së intervistave, karakteristikat e një intervistuesi efektiv, qëllimin e procesit të intervistës dhe analizën e sjelljeve.
“Shumica e informatave hetimore merren gjatë intervistave. Hetuesit dhe policët duhet t’i japin më shumë rëndësi intervistave si burim informacioni dhe të zhvillojnë shkathtësi për të planifikuar, mbajtur dhe vlerësuar intervistat,” tha Henrik Malmquist, Drejtor i Departamentit për Siguri dhe Rend Publik në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Trajnimi është mbajtur në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe është bazuar në vlerësimin e nevojave për trajnim që ka bërë Policia e Kosovës dhe në vlerësimet e Misionit të OSBE-së për nevojën e trajnimit për intervistimin hetimor. Shumica e pjesëmarrësve në trajnim janë pjesëtarë të njësive hetuese të Policisë së Kosovës dhe kanë përfunduar disa kurse paraprake të përkrahura nga Misioni, si p.sh. trajnimi bazik i intervistimit hetimor dhe analiza kriminale e deklaratave.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike, dhe ofron trajnime të avancuara dhe të specializuara për agjencitë për zbatim të ligjit.