OSBE dënon sulmin ndaj portalit të lajmeve në veriun e Kosovës
PRISHTINË/VJENË, 11 qershor 2015 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger dhe Përfaqësuesja i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Dunja Mijatović, janë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me sulmin e mëngjesit të sotëm ndaj portalit të lajmeve KoSSev në Mitrovicë të Veriut.
“Jam i brengosur nga raportimet që zyrat e portalit KoSSev janë sulmuar disa herë me armë zjarri,” tha Schlumberger. “Sulmi përbën akt frikësimi ndaj një mediumi të pavarur dhe unë e dënoj atë fuqishëm.”
Policia e ka konfirmuar incidentin dhe janë duke e hetuar rastin. Sipas tyre dy plumba janë gjetur brenda zyrave të KoSSev-it dhe 4-5 tjerë në pjesën e fasadës. Përveç dëmit material nuk është raportuar për ndonjë viktimë.
Schlumberger u ka bërë thirrje autoriteteve që ta ndriçojnë rastin sa më shpejtë që është e mundshme dhe të sigurojnë kushte ku mediat mund të punojnë lirshëm në një mjedis të sigurt.
“E dënoj këtë sulm, siguria është parakushti themelor që pjesëtarët e medias të bëjnë punën e tyre,” tha Mijatović, duke e mirëpritur dënimin e këtij sulmi si nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ashtu edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Serbisë (UNS), si mesazh shumë i nevojshëm i solidaritetit ndërmjet komunitetit të mediave.