Mediat e papenguara dhe profesionale janë qenësore për zhvillim demokratik të Kosovës, thotë Shefi i Misionit të OSBE-së në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit
PRISHTINË, 3 maj 2015 – Mediat e papenguara dhe profesionale janë qenësore për zhvillimin demokratik të Kosovës, tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, dhe u bëri thirrje institucioneve që të garantojnë liri të shprehjes dhe liri të mediave, si dhe të sigurojnë një ambient më të sigurt pune për gazetarët që të informojnë publikun me kohë dhe në mënyrë objektive.
“Përkundër përparimit në adresimin e disa rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve, mediat vazhdojnë të jenë subjekt i ndikimit politik dhe ekonomik, përderisa vazhdon frikësimi dhe kërcënimi ndaj gazetarëve, gjë që edhe më shumë minon lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në Kosovë,” tha ai. “Fatkeqësisht, numri i sulmeve, kërcënimeve dhe fushatave denigruese ndaj gazetarëve vazhdon të jetë i madh, me 24 raste të tilla vetëm në vitin 2014, dhe deri në dhjetë raste deri në prill 2015.”
“Fuqishëm i dënoj këto sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve, si dhe çdo lloj ndikimi ndaj mediave të pavarura. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë të lirë dhe të sigurt, pa ndikime.”
Ambasadori Schlumberger përgëzoi Kuvendin e Kosovës për shqyrtimin e performancës dhe financave të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). “Transparenca financiare dhe zgjidhja afatgjate e çështjes së financimit është me rëndësi të madhe për pavarësinë editoriale të transmetuesit publik, dhe i bëj thirrje Kuvendit të Kosovës të vazhdoj të punoj së afërmi me të gjithë hisedarët e RTK-së për të siguruar se RTK-ja punon në mënyrë të pavarur dhe në interes të publikut.
Ai përgëzoi edhe Komisionin e Pavarur për Media për punën në finalizimin dhe dorëzimin e Strategjisë për kalim në transmetim digjital tokësor te institucionet e Kosovës, si dhe Këshillin e Mediave të Shkruara për ruajtjen e parimeve të gazetarisë profesionale dhe etikës për mediat e shkruara dhe ato online, si dhe për promovim të zhvillimit të mëtutjeshëm të gazetarisë hulumtuese.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Ndihmon në mbrojtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes dhe përkrah zhvillimin e mediave.
Shënim për gazetarët: Për të shënuar Ditën Botërore të Shtypit të Lirë, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të organizojë një konferencë mbi lirinë e mediave dhe standardet profesionale me qëllim të vlerësimit të gjendjes aktuale të lirisë së mediave, dhe standardeve etike dhe profesionale në media. Konferenca do të mbahet në Hotelin Swiss Diamond në Prishtinë të hënën me 4 maj 2015, në ora 10:30.