Përfaqësues fetar nga Kosova vizitojnë Këshillin Ndërfetar të Bosnje dhe Hercegovinës
SARAJEVË, 22 prill 2015 – Themelimi dhe sfidat në funksionimin e këshillit ndërfetar si dhe praktikat më të mira në promovimin e dialogut ndërfetar kanë qenë në fokus të një vizite dy-ditore të përfaqësuesve fetar nga Kosova në Këshillin Ndërfetar të Bosnje dhe Hercegovinës.
Vizita është pjesë e një projekti të Misionit të OSBE-së në Kosovë që ka për qëllim të promovojë dialogun ndërfetar dhe të ndihmojë komunitetet fetare në Kosovë të hartojnë politika për çështje të interesit të përbashkët. Gjatë vizitës studimore pjesëmarrësit vizituan edhe qendrat fetare e historike në Sarajevë.
“Një nga objektivat e projektit tonë është themelimi i një këshilli ndërfetar në Kosovë në 2015, dhe shpresojmë se mësimet e nxjerra në Bosnje dhe Hercegovinë do të zbatohen në mënyrën më të mirë të mundshme,” tha Valbonë Dermaku, Këshilltare për të Drejta të Njeriut në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Për Vedat Sahitin nga Bashkësia Islame e Kosovës, “ishte veçanërisht e dobishme të shohim se si funksionon në realitet parimi i konsensusit në punën e këshillit ndërfetar.”
Srgjan Stankoviq, përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe, vuri në pah rëndësinë e mbajtjes hapur të kanaleve për komunikim me Këshillin në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë themelimit të Këshillit të Kosovës si dhe më pas si partnerë në promovimin e dialogut ndërfetar.
Përfaqësues fetar nga Kosova ishin Artur Krasniqi nga Kisha Protestante-Ungjillore, Don Lush Gjergji nga Kisha Katolike, Ines Demiri nga Komuniteti Hebre, Srgjan Stankoviq nga Kisha Ortodokse Serbe dhe Vedat Sahiti nga Bashkësia Islame.