Shefi i Misionit të OSBE-së bën thirrje për integrim më të mirë të komunitetit rom të Kosovës
PRISHTINË, 8 prill 2015 – “Komuniteti rom i Kosovës mbetet në margjina të shoqërisë, prandaj duhet të bëhet më shumë për të siguruar përfshirjen e tyre të plotë në shoqëri,” Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, tha sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
“Pjesëtarët e komunitetit rom, së bashku me komunitetin ashkali dhe egjiptas, ende diskriminohen në forma të ndryshme. Ata ballafaqohen me sfida gjatë qasjes në edukim, shërbime shëndetësore, strehim dhe punësim. Kjo gjendje duhet të ndryshoj,” tha Schlumberger.
“Strategjia aktuale dhe plani i veprimit për integrimin e këtyre komuniteteve të ndjeshme përfundojnë këtë vit,” tha Schlumberger, duke e inkurajuar qeverinë e Kosovës që të sigurojnë një proces gjithëpërfshirës gjatë hartimit të strategjisë së re për integrimin e këtyre komuniteteve.
Duhet të dëgjohet zëri i përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe vetë komuniteteve në mënyrë që të ofrohet përgjigje adekuate për nevojat dhe shqetësimet e tyre, shtoi ai.
“Angazhimi i shtuar nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal si dhe ndarja e më shumë fondeve janë qenësore për ta çuar këtë proces përpara,” tha ai, dhe vuri në pah se në nivelin lokal 12 komuna kanë hartuar plane të veprimit me ndihmë të OSBE-së.
“Këto plane përfshijnë veprime konkrete për integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas. Me përkrahjen e duhur nga niveli qendror, komunat do të jenë në gjendje që dukshëm të përmirësojnë kushtet e jetës për këto komunitete,” përfundoi Schlumberger.