Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë viziton transmetuesin publik dhe rregullatorin e mediave elektronike
Më 18 dhe 19 mars 2015, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, e vizitoi Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe me këtë rast u takua me përfaqësuesit e organeve ekzekutive të këtyre dy institucioneve të medias.
Gjatë vizitave, Ambasadori Schlumberger u informua rreth aktiviteteve më të rëndësishme të RTK-së dhe KPM-së në të kaluarën, por edhe për planet e tyre për të ardhmen.
“Është jetike për këto dy institucione ta ruajnë pavarësinë e tyre financiare, integritetin editorial dhe pavarësinë nga interesa të jashtme si parime të rëndësishme të ekzistencës së tyre,” tha Ambasadori Schlumberger duke folur për punën e transmetuesit publik dhe të rregullatorit të mediave elektronike.
Ambasadori Schlumberger e theksoi zotimin e Misionit në përkrahje të zhvillimit të sektorit të medias në Kosovë. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me institucionet e mediave që t’ju ndihmojmë në zbatimin e standardeve më të larta në sektorin e transmetimit publik dhe në fushën e rregullimit të medias. Vetëm mediat dhe institucionet e medias që janë të qëndrueshme dhe të zhvilluara mund t’i përmbushin funksionet e tyre në mënyrë efektive,” tha ai.