Përfundon trajnimi i Misionit të OSBE-së për zyrtarët që merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje në Kosovë
Punëtoria e fundit, nga pesë punëtori gjithsej, mbi procedurat standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje ka përfunduar në Prishtinë me 5 dhjetor. Punëtoritë e organizuara nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Agjencia për Barazi Gjinore kanë trajnuar 200 policë, punëtorë social, mbrojtës të viktimave, doktorë, punonjës të strehimoreve, mësimdhënës, gjykatës e prokurorë.
“Procedurat standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje qartësojnë rolet dhe përgjegjësitë e secilit bartës të detyrave, duke filluar nga zyrtarët policor, punëtorët social dhe mbrojtësit e viktimave e deri te gjyqtarët dhe mësimdhënësit, në identifikimin, referimin dhe asistimin e viktimave. Nëse zbatohen drejt, këto procedura mund të çojnë në parandalim më efektiv të dhunës në familje dhe ndihmë më të mirë për viktimat,” tha Jasna Dobricik, shefe e Sektorit të Misionit të OSBE-së për Barazi dhe Jo-diskriminim.
Pjesëmarrësit u bënë thirrje institucioneve në Kosovë që të ofrojnë përkrahje më të madhe financiare për strehimoret. Ata po ashtu vënë në pah se nevojitet bashkëpunim në mes të mësimdhënësve dhe akterëve tjerë relevant për të ngritur edhe më shumë vetëdijen e nxënësve dhe prindërve të tyre për nevojën e raportimit të dhunës në familje, dhe për ndihmën në dispozicion.
Si pjesë e përpjekjeve për ndihmuar luftimin e dhunës në familje në Kosovë, Misioni i OSBE-së është duke zhvilluar një fushatë senzibilizuese “Burrat e vërtetë kurrë nuk ushtrojnë dhunë ndaj gruas” e cila përfshin spote televizive dhe posterë dhe i bën thirrje publikut për të raportuar dhunën në familje te mbrojtësit e viktimave.