OSBE promovon tolerancën mes të rinjve të komuniteteve të ndryshme në Kosovë
Në përpjekje për të forcuar tolerancën dhe mirëkuptimin ndëretnik e ndërfetar, prej datës 5 deri 27 nëntor 2014, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar tri vizita studimore në objekte kulturore dhe fetare për nxënësit e shkollave të mesme të komunave të Dragashit dhe Prizrenit.
Pjesëmarrës në këto vizita kanë qenë mbi 60 nxënës të komuniteteve të ndryshme në Kosovë dhe nxënësit e Seminarit të Kishës Ortodokse Serbe në Prizren, të cilët përndryshe nuk do kishin mundësi ndërveprimi.
Ata vizituan Hamamin e Prizrenit, Xhaminë e Sinan Pashës, Katedralen Katolike të Zojës Ndihmëtare, Kishën Ortodokse Serbe të Shën Gjergjit, dhe Kalanë, e poashtu edhe lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, Tyrben e Sulltan Muratit, dhe Manastirin e Deçanit.
Në këto vende ata patën mundësi të mësojnë rreth trashëgimisë fetare e kulturore të njëri-tjetrit, si dhe t’i tejkalojnë keqkuptimet e mundshme mes tyre.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin, dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.