Punëtoria e OSBE-së nxjerr në pah përpjekjet për parandalimin e uzurpimit ilegal të pronave në Kosovë
Punëtoria e fundit në serinë e gjashtë punëtorive të organizuara nga OSBE për përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP), Policinë e Kosovës, gjyqtarë e prokurorë me temë parandalimin e ri-uzurpimit ilegal të apartamenteve, shtëpive dhe tokave që iu takojnë personave të zhvendosur është mbajtur me 24 tetor 2014 në Gjakovë.
“Pronat e shumë njerëzve që janë zhvendosur pas konfliktit në Kosovë janë uzurpuar në mënyrë ilegale e pastaj liruar në pajtim me urdhrat e AKP-së. Megjithatë, në 400 raste të administruara nga AKP dhe shumë të tjera të dorëzuara nga persona privat, apartamentet, shtëpitë dhe tokat që u takojnë personave të zhvendosur janë ri-uzurpuar në mënyrë ilegale. Kjo e pengon procesin e kthimit dhe është shkelje e të drejtave themelore të njeriut,” tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Unë i përgëzoj përpjekjet e Policisë së Kosovës dhe AKP-së për të shqyrtuar rastet e ri-uzurpimit ilegal sa më shpejt që është e mundur dhe në mënyrë sa më efektive, dhe u bëj thirrje të gjitha palëve relevante që të parandalojnë ri-uzurpimin ilegal dhe të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe të banimit për të gjithë njerëzit që jetojnë apo që dëshirojnë të kthehen në Kosovë.”
Policia dhe AKP kanë nënshkruar së fundi një marrëveshje mirëkuptimi që përcakton rolin e tyre në dëbime dhe në procesimin e rasteve të ri-uzurpimit ilegal në gjykata. Në kuadër të kësaj, pjesëmarrësit e punëtorisë kanë nënvizuar nevojën për koordinim më të mirë të përpjekjeve të tyre dhe qasje të njëjtë në shqyrtimin e këtyre rasteve.
Ata po ashtu theksuan se personat e zhvendosur, të cilëve u janë njohur të drejtat pronësore përmes vendimeve përfundimtare dhe të detyrueshme të Komisionit të Kërkesave Pronësore të Kosovës, nuk duhet të kalojnë nëpër procedura të gjata gjyqësore për të ri-marrë pronësinë e pronave të tyre, siç është vërejtur në disa raste nga monitoruesit e OSBE-së nëpër gjykata.