Misioni i OSBE-së në Kosovë promovon etikën dhe standardet e raportimit në gazetari
Punëtoria e fundit nga gjithsej tri punëtori të organizuara nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për gazetarë të rinj mbi standardet profesionale të raportimit, etikën dhe përgjegjësinë e mediave ka përfunduar me 14 gusht 2014 në Prizren.
Në punëtoritë e mbajtura në Mitrovicë, Gjilan dhe Prizren nga muaji maj deri në gusht të vitit 2014 morën pjesë më shumë se 80 gazetarë, për ta kuptuar më mirë legjislacionin përkatës për fushën e mediave në Kosovë, kodin e etikës për gazetarë dhe aplikimin e tyre në mediumet tradicionale dhe ato të reja.
Gazetarë me përvojë dhe përfaqësues të organeve rregullative të mediave, si Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, dhe të shoqatave të gazetarëve, ishin pjesë e paneleve nëpër punëtori.
Shumica e diskutimeve të tyre janë përqendruar në raportin e fundit të OSBE-së për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë, sipas të cilit shoqëria civile dhe vetë mediat duhet “të bëjnë përpjekje për të shtuar besueshmërinë e sektorit të mediave duke rritur kontrollin ndaj punës gazetareske dhe duke shtyrë përpara projekte që rrisin nivelin e profesionalizmit.”
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni përkrah zhvillim e mediave të pavarura dhe profesionale në Kosovë.