Misioni i OSBE-së i mëson të rinjtë rreth trashëgimisë kulturore në Kosovë
Nga data 5 maj deri më 6 qershor, Misioni i OSBE-së do të organizojë dhjetë vizita studimore në disa lokacione historike dhe fetare në Kosovë për rreth 500 nxënës të shkollave të mesme nga Deçani, Ferizaji, Graçanica, Istogu, Leposaviqi, Lipjani, Novobërda, Prizreni, Rahoveci dhe Skenderaji.
Qëllimi i vizitave studimore është që të rinjtë e komuniteteve shqiptare, ashkali, boshnjake, egjiptiane, serbe dhe rome në Kosovë të mësojnë rreth trashëgimisë së tyre të përbashkët kulturore dhe të kenë një mundësi për ta njohur njëri-tjetrin.
“Të rinjtë nga komunitetet e ndryshme në Kosovë nuk kanë mundësi të mjaftueshme për tu takuar me njëri-tjetrin apo për të mësuar për trashëgiminë kulturore të përbashkët,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
“Përmes aktiviteteve të këtilla, OSBE po ndihmon zvogëlimin e zbraztësirës kulturore në mes të të rinjëve dhe po i ndihmon ata të mësojnë ta respektojnë njëri-tjetrin dhe diversitetin kulturor, si dhe ta kuptojnë nevojën për mbrojtur trashëgiminë kulturore si një element i rëndësishëm i identitetit të tyre.”
Nxënësit do ta vizitojnë monumentin e Gazimestanit, Manastirin e Graçanicës, Qendrën Historike të Prizrenit, Kullat dhe Çarshinë e Vjetër në Pejë, Kalanë Mesjetare të Novobërdës, Patriarkanën e Pejës, Tyrben e Sulltan Muratit II në Obiliq, qytetin arkeologjik të Ulpianës, Hoçën e Madhe, Manastirin e Deçanit and të Zoqishtes.
Para secilës vizitë, nxënësit do të takohen me përfaqësuesit e drejtorive për kulturë, rini dhe sport dhe drejtorive komunale për arsim të komunave përkatëse, si dhe institutet rajonale për mbrojtjen e monumenteve dhe drejtorët e muzeve të cilët do të flasin për kornizën ligjore dhe rëndësinë e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të trashëgiminsë kulturore dhe fetare. Zyrtarët komunal do të jenë edhe ciceronët e tyre gjatë vizitave studimore.
Misioni i OSBE-së ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, demoktratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni përkrah institucionet lokale dhe organizatat e shoqërisë civile në përpjekjet e tyre për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore në Kosovë.