Misioni i OSBE-së bën thirrje për mbrojtje të shtuar të trashëgimisë kulturore e fetare në Kosovë
Prishtinë, 9 prill 2014 – Korniza ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare është në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, megjithatë ajo nuk arrin t’i përcaktojë dhe t’i ndajë në mënyrë të qartë përgjegjësitë institucionale në këtë drejtim, gjë që ndikon negativisht në mbrojtjen e trashëgimisë së pasur dhe të larmishme kulturore, konkludon një raport i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Raporti Sfidat në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të paluajtshme materiale në Kosovë bën thirrje për përmirësime në legjislacion dhe kërkon nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal që të përmirësojnë bashkëpunimin mes tyre; hartojnë një listë të plotë të inventarit të vendeve të trashëgimisë kulturore; dhe t’i përfshijnë ato në planet hapësinore. Aty gjithashtu kërkohen inspektime më të shpeshta të vendeve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, si dhe masa për parandalim të vandalizmit dhe të ndërtimeve të paligjshme rreth atyre vendeve.
“Trashëgimia kulturore që përfshin objekte, vende, dhe tradita, e tregon historinë dhe ruan elementet thelbësore të identitetit tonë, gjegjësisht gjuhën dhe fenë. Ajo e përcakton secilin komunitet dhe secilin prej nesh, dhe kjo është arsyeja pse duhet të mbrohet,” tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Shpresoj që ky raport dhe rekomandimet e tij do t’iu ndihmojnë institucioneve të Kosovës që të përmirësojnë edhe më tej mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Rishikimi, që pritet të bëhet, i Ligjit për Trashëgiminë Kulturore ofron mundësi për të përcaktuar më mirë rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.”
Raporti gjithashtu vë në dukje zhvillimet pozitive, si krijimi i njësisë speciale të Policisë së Kosovës përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, përpjekjet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim të trashëgimisë kulturore për të trajtuar rastet e ndërtimeve të paligjshme që prekin vendet e trashëgimisë kulturore dhe fetare.
Raporti përfshin periudhën janar 2010 – shkurt 2014 dhe bazohet në aktivitetet e rregullta monitoruese të Misionit të OSBE-së në Kosovë. Atë mund ta gjeni në www.osce.org/sq/kosovo/117277