Zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut mbahen me sukses me ndihmën e OSBE-së
MitrovicË, 23 shkurt 2014 – Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka lehtësuar me sukses zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunës në Mitrovicë të Veriut të mbajtura sot.
Banorët me të drejtë vote patën mundësi që të hedhin votën e tyre nga ora 7:00 deri në ora 19:00 në shtatë qendra të votimit me 33 vendvotime. Këshillat e vendvotimeve i numëruan votat në vendvotime dhe materialin ia dorëzuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nëpërmjet degës së vet komunale.
“Jam shumë i kënaqur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të sotme,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
“Anëtarët e këshillave të vendvotimeve i kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizëm dhe afro 100 pjesëtarë të OSBE-së ofruan ndihmën e nevojshme teknike. Për më tepër, ofruesit e sigurisë – Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i – edhe njëherë u dëshmuan në nivel të detyrës duke ofruar një ambient të qetë zgjedhor, dhe unë i falënderoj për punën e tyre të palodhshme.”
OSBE po i lehtëson zgjedhjet komunale në Kosovën veriore në pajtim me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes Beogradit dhe Prishtinës të arritur në Bruksel në prill 2013.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës në Mitrovicë të Veriut mund të mbahet pas katër javësh nëse asnjëri nga kandidatët nuk siguron mbi 50 % të votave.