Deklaratë e Shefit të Misionit të OSBE-së, Ambasadorit Jean-Claude Schlumberger, pas incidenteve të dhunshme në veriun e Kosovës të cilat ndikuan në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit
(Krahasoje me deklaratën e dhënë)
Ju faleminderit që keni ardhur në këto orë të vona. Do të thosha “mirëmbrëma” por kjo nuk do të ishte e vërtetë.
Sot OSBE ka qenë e përfshirë në fazën e fundit të lehtësimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore, d.m.th në vetë procesin e votimit.
Siç kemi raportuar gjatë gjithë mëngjesit, të gjitha vendvotimet janë hapur pak a shumë me kohë, me përjashtim të njërës që është hapur në ora 9:30 në Mitrovicën e veriut për arsye tërësisht teknike.
Votimi po zhvillohej dhe procesi zgjedhor ishte i suksesshëm në tërë Kosovën veriore deri në ora 17:00 kur vendvotimet dhe stafi jonë u sulmua në tri qendra të votimit në Mitrovicën e veriut.
Kur them se ishte sukses mund të konfirmojë se gjithçka ishte qetë për shembull në Zubin Potok kur vizitova shkollën fillore Jovan Cvijic dhe fola me anëtarët e katër këshillave të vendvotimeve atje dhe i urova për punën e tyre të shkëlqyeshme.
Për më tepër, sipas lehtësuesve tonë, dalja në votime deri në ora 17:00 në tri komunat veriore ishte:
Leposaviq: 22 përqind
Zubin Potok: 22 përqind
Zveqan: 11.21 përqind
Sinjalet se zgjedhjet do të ishin të suksesshme duket se nuk ishin lajm i pranueshëm për të gjithë.
Në ora 17:00 një grup i personave të maskuar filluan një ofensivë kundër procesit zgjedhor.
Ata së pari u vërsulen në 16 vendvotime në shkollën fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën veriore. Ata shkatërruan kutitë e votimit dhe materialet tjera zgjedhore; sulmuan stafin tonë dhe hodhën gaz lotsjellës.
Skenare të ngjashme ndodhën në shkollën teknike dhe atë të mjekësisë në Mitrovicën veriore.
Në këto momente ne u detyruam ta tërheqim stafin tonë nga Mitrovica veriore. Më vonë u informuam se edhe një mjet shpërthyes ishte gjetur në shkollë teknike.
Situata filloi të përkeqësohej edhe në Zveqan ku stafi jonë u sulmua - një nga automjetet tona që është e parkuar jashtë do të duhej t’ju jepte një përshtypje të asaj nëpër çfarë ka kaluar stafi jonë.
Të shqetësuar se dhuna do të mund të përhapej, ne kërkuam nga KQZ-ja të na autorizonte të mbyllnim vendvotimet në tri komunat tjera në orën 18:30 dhe të siguronim materialet zgjedhore.
Dua ta bëj të qartë se OSBE asnjëherë nuk ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve, siç është raportuar gabimisht.
KQZ-ja na është përgjigjur me një kërkesë për të mbajtur në posedim materialet dhe për t’i kthyer ato në KQZ.
Mund të konfirmojë se tani kemi në posedim materialet zgjedhore nga tri komunat në veri dhe ato tani po transportohen në Qendrën për Numërim dhe Rezultate të KQZ-së.
Për fund, dua t’i falënderoj ofruesit e sigurisë për mbështetjen e tyre.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj. Tani do t’u përgjigjëm pyetjeve tuaja.
Shënim: OSBE është duke i lehtësuar zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës në pajtim me marrëveshjen e 19 prillit në mes të Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE-ja.