Mbikëqyrja e komunave nga shoqëria civile e nevojshme për të përmirësuar shërbimin publik, thonë pjesëmarrësit e konferencës së OSBE-së
Mbi 25 përfaqësues të shoqërisë civile nga Evropa juglindore u mblodhën më 15-16 korrik 2013 në një konferencë të OSBE-së në Prishtinë për të shkëmbyer praktikat më të mira në sferën e mbikëqyrjes së komunave dhe pjesëmarrjes në vendimmarrjen lokale.
"Përvoja jonë tregon se komunat shfaqin tendenca inercioni nëse ne si përfaqësues të shoqërisë civile nuk avokojmë apo nuk kërkojmë në mënyrë të vazhdueshme shërbime që e përmirësojnë jetën e përditshme, si p.sh. stimulime ekonomike lokale apo riparim të rrjetit të rrugëve dhe ujrave,” tha Blerina Guga nga OJQ-ja Partnerët-Shqipëri.
"Kjo është arsyeja pse mbikëqyrja e degës ekzekutive dhe legjislative në komuna nga shoqëria civile është jo vetëm e rëndësishme por edhe e domosdoshme për të përmirësuar tutje ofrimin e shërbimeve komunale dhe publike, si dhe për të siguruar më shumë transparencë dhe llogaridhënie," shtoi ajo.
Praktikat më të mira të diskutuara kanë përfshirë inicimin e referendumeve komunale; nënshkrimin e memorandumeve të mirëkuptimit në mes të organizatave jo-qeveritare dhe komunave për monitorimin e ekzekutivit; rritjen e numrit të dëgjimeve publike mbi buxhetin; buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, si dhe zbatimin e Protokollit shtesë të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore për të drejtën për pjesëmarrje në punët e një organi vendor.
Përveç marrjes së këtyre praktikave që mund të përfshihen në punën e tyre të përditshme, pjesëmarrësit gjithashtu u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin përmes një rrjeti të përbashkët të shkëmbimit të informacionit.
OJQ-të që morën pjesë në këtë ngjarje vinin nga Beogradi, Bori, Gjilani, Kërçova, Korça, Nishi, Mitrovica, Novi Pazari, Peja, Podgorica, Prishtina, Prizreni, Shkupi dhe Tirana. Konferenca u organizua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, me mbështetjen e misioneve të OSBE-së në Mal të Zi, Serbi dhe Shkup, si dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.