Femrat duhet të kenë rol më të madh në hartimin e buxheteve komunale, thonë pjesëmarrësit e punëtorisë së OSBE-së
Me 21 maj 2013 është përmbyllur në Elbasan të Shqipërisë një punëtori dy-ditore për përfaqësues të gjashtë komunave kosovare me temë përfshirjen e grave në procesin e hartimit të buxheteve komunale.
Punëtoria është pjesë e përpjekjeve të Misionit të OSBE-së për të zhvilluar tutje kulturën e financimit publik që respekton aspektet gjinore.
“Gratë përbëjnë gati gjysmën e popullsisë në Kosovë, ndërsa përfaqësimi i tyre në trupat ose mekanizmat lokal vendim-marrës është nën 28 për qind. Kjo duhet të ndryshojë. Femrat si anëtare të barabarta të shoqërisë duhet të kenë rol më të madh,” Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Përfshirja e barabartë e meshkujve dhe femrave në proceset e hartimit të buxheteve do t’iu ndihmojë komunave që t’i pasqyrojnë sa më mirë prioritetet reale të banorëve dhe t’i kontribuojnë respektimit të parimit të barazisë gjinore siç parashihet në ligj.”
Misioni i OSBE-së do t’i mbështesë komunat në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave rreth përfaqësimit gjinor në arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale. Bazuar në këto të dhëna do të nxirren edhe rekomandime që duhet marrë parasysh gjatë hartimit të buxheteve komunale.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.