OSBE promovon dialogun ndër-fetar në Kosovë
Me 19 prill 2013 në Mitrovicë është përmbyllur një seri prej pesë debatesh të organizuara nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për përfaqësues të komunitetit islam, ortodoks serb, katolik, protestant dhe hebre me qëllim lehtësimin e dialogut ndër-fetar, promovimin e tolerancës, dhe lirinë e fesë dhe besimit.
“Diskutimet u përqendruan në çështje që prekin shume komunitet fetare në Kosovë, përfshirë regjistrimin e këtyre komuniteteve si persona juridik, politikat e taksave, shfrytëzimi i objekteve dhe shërbimeve tjera publike, si dhe edukimi fetar dhe siguria,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
“Jam i inkurajuar me pjesëmarrjen e lartë pasi që kjo dëshmon interesimin e mirëfilltë për këtë nismë, dhe unë sinqerisht shpresoj që fryma e dialogut konstruktiv dhe respekti i ndërsjellë i treguar në diskutime do të mbizotërojë në raportet e ardhshme në mes komuniteteve.”
Ky projekt do të pasohet me dy raunde të tjera të forumeve ndër-fetare që do të mbahen në qershor dhe në gusht, dhe do të përmbyllet me një konferencë në shtator, e cila do t’i bashkojë përfaqësuesit e të gjitha rajoneve të Kosovës.
Misioni i OSBE-së në Kosovë promovon një spektër të gjërë të të drejtave dhe lirive të njeriut, përfshirë të drejtën e religjionit dhe besimit, lirinë e shprehjes si dhe luftën kundër diskriminimit.