Fushata e OSBE-së #WeCooperate përfundon me miliona njerëz të mobilizuar për të punuar së bashku për paqe dhe siguri
VJENË, 22 qershor 2015 – Dy muaj pas fillimit, fushata e OSBE-së #WeCooperate po i afrohet fundit, pasi ka arritur të mbledhë një auidencë prej gati tre milion njerëzve me porosinë që bashkëpunimi është rruga drejt paqes dhe sigurisë.
Fushata ka pasur për qëllim të tregojë se gjithsecili ka rol në ndërtimin e sigurisë, pasi që të gjitha aspektet e punës së OSBE-së prekin jetët e përditshme të njerëzve në rajonin e saj. Fushata ka inkurajuar qindra njerëz të dërgojnë fotografi, video, tekste të shkurtra dhe të bëjnë postime në twitter duke vënë në pah bashkëpunimin në të gjitha format e veta – nga projektet e shoqërisë civile deri në punën ekipore të përditshme.
Me përkrahjen e agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, organizatave dhe institucioneve tjera ndërkombëtare, rrjeteve akademike dhe atyre rinore, #WeCooperate u shpërnda shpejt nëpër rrjete të mediave sociale dhe u bë vetë shembull i bashkëpunimit duke arritur te njerëzit përtej rajonit të OSBE-së.
“I falënderoj të gjithë ata që përkrahën kauzën dhe iu bashkëngjiten fushatës,” tha Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier. “Kreativiteti dhe inovacioni që njerëzit treguan me kontributet e tyre ishte inspirim për të gjithë ne. Entuziazmi i tyre nënvizon rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të OSBE-së me të rinjtë.”
Çdo dy javë, OSBE ka shpallur një fitues të ri të #WeCooperate, duke dhënë çmime të ndryshme për të vënë në pah fusha të ndryshme të punës së OSBE-së.
Çmimi që OSBE ka dhënë së pari – një çantë sportive solare – ka shkuar te ‘Mehr-Shavkat’ një Fond Publik me seli në Aravan, Kirgistan, për fotografinë e tyre të një projekti mbi fuqizimin e grave në sektorin e bujqësisë.
Çmimi që OSBE ka dhënë së dyti – një kamerë GoPro – ka shkuar te Viola Schipfer, studente e Masterit në Vjenë, e cila ka bërë shumë postime kreative që kanë vënë në pah bashkëpunimin në jetën e saj të përditshme.
Një kuiz u ka ofruar mundësinë katër fituesve fatlumë të takojnë personalisht garuesit e Finlandës për Këngën e Evrovizionit në Pallatin Hofburg në Vjenë.
Çmimi kryesor i fushatës – një udhëtim në një ngjarje të OSBE-së – ka shkuar te Shend Mulliqi nga Prishtina, postimet e të cilit kanë nënvizuar rëndësinë e punës ekipore, sportivitetit dhe pasionit në arritjen e qëllimeve.
Tregimet e #WeCooperate ia vlejnë të tregohen – dhe OSBE do të vazhdojë t’i tregojë, sepse bashkëpunimi ka rëndësi!
Më shumë rreth fushatës: www.osce.org/home/164876