Qeverisja e mirë, parakusht për unifikimin e shoqërisë, thotë Komisionerja e Lartë e OSBE-së Thors në Shkup
SHKUP, 18 shkurt 2015 – Komisionerja e Lartë e OSBE-së për Pakicat Kombëtare Astrid Thors ka shoqëruar Kryesuesin e OSBE-së, Ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç gjatë një vizite në Shkup, si pjesë e përpjekjeve të Kryesisë për mbështetjen e reformave demokratike dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal.
Thors përsëriti shqetësimin e saj serioz për situatën aktuale politike dhe implikimet e mundshme për stabilitetin afatgjatë. Të gjithë Komisionarët e Lartë të emëruar deri më tani kanë qenë të angazhuar për më shumë se dy dekada në adresimin e sfidave për ndërtimin e një shteti stabil multi-etnik. Zhvillimet e fundit politike, megjithatë, mund të vënë në rrezik integrimin e shoqërisë si tërësi, paralajmëroi ajo.
“Demokracia pluraliste, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e pakicave, janë parakusht për integrimin e shoqërisë,” tha Thors.
Thors theksoi se është e nevojshme që përpjekjet për trajtimin e krizës aktuale politike të bëhen në mënyrë që do të rikthente besimin në institucionet. “Nëse nuk ofrohen të gjitha garancitë e nevojshme, kriza mund të thellohet me pasoja të mundshme afatgjata për integrimin e vendit. Është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare po i kushton vëmendje të posaçme këtij procesi,” tha ajo.
“Në kohë krize, vendet me bashkësi etnike të polarizuara janë veçanërisht të pambrojtur ndaj agjendave përçarëse që synojnë të shfrytëzojnë tensionet ekzistuese ndëretnike në shoqëri,” tha Thors. Ajo i bëri thirrje liderëve politikë që të marrin përgjegjësi dhe të sigurojnë se zhvillimet aktuale nuk marrin dimension ndëretnik.
Gjatë vizitës së saj, Thors u takua me liderët e koalicionit qeveritar, si dhe me përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile.