Përfaqësuesja e OSBE për Lirinë e Medias mirëpret dekriminalizimin e shpifjes nga autoritetet e Shkupit
VJENË, 14 nëntor 2012 – Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, përgëzoi sot qeverinë dhe parlamentin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë për dekriminalizimin e shpifjes.
Si hap i parë në një përpjekje të gjerë për të përforcuar lirinë e medias, Parlamenti miratoi më 12 nëntor ligjin e ri që rregullon fyerjen dhe shpifjen dhe hoqi sanksionet për këto vepra nga Kodi Penal.
"Ky është një hap i guximshëm dhe shumë i nevojshëm nga autoritetet për fillimin e krijimit të një mjedisi të sigurt dhe të lirë të punës për gazetarët dhe mediat, sidomos duke pasur parasysh numrin e madh të rasteve penale për shpifje që aktualisht procedohen para gjykatave,” tha Mijatoviç. "Gazetarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre, si dhe të inkurajojnë debat mbi çështjet e interesit publik, pa frikën nga sanksionet penale ose të dëmtimeve te panevojshme civile."
Ajo theksoi se vendi ka ndërmarrë një hap pozitiv përpara, por paralajmëroi se duhej bërë shumë punë për të krijuar një mjedis të vërtetë të lirë për media.
"Unë shpresoj se qeveria tani do të angazhohet për trajtimin e sfidave të tjera të lirisë së medias, si p.sh: pluralizmi i mediave, pavarësia e transmetuesit publik dhe e trupit rregullues të mediave, si dhe për transparencën e pronësisë së mediave", tha Mijatoviç.