Interesat ekonomike dhe politike, si dhe moszbatimi i plotë i ligjit pengojnë shtypin e lirë në Shqipëri, thotë përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias
TIRANË, 7 qershor 2012 – Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, i bëri thirrje qeverisë shqiptare të forcojë lirinë e medias në vend si një përparësi, sot, në fund të vizitës së saj tri-ditore në Tiranë.
“Në Shqipëri ngulmojnw mediat e lira, por ato vuajnë kryesisht nga interesat ekonomike dhe politike, të cilat pengojnë pavarësinë editoriale. Duhet bërë më shumë për të mbrojtur lirinë e medias”, tha Mijatović.
Gjatë vizitës së saj, Përfaqësuesja u takua me Kryeministrin Sali Berisha, Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi, Ministrin e Inovacionit dhe të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit Genc Pollo, si dhe me kryetaren e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit Endira Bushati, Drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit publik Shqiptar, kryetarin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, drejtorin e Institutit Shqiptar të Medias, drejtorin ekzekutiv të Transparency International në Shqipëri, gazetarë vendas dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Moszbatimi i plotë i ligjeve për median, presioni ekonomik, klientelizmi dhe partishmëria e pronarëve të mediave, si dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët (shumica e të cilëve punojë pa kontratë), një transmetues publik dhe një rregullues transmetimesh të dobët e me vështirësi të mëdha financiare, si dhe fusha e parregulluar e transmetimeve dixhitale janë sfidat më të mëdha, veçanërisht për gazetarinë investiguese në Shqipëri, tha Mijatović.
“Pa një transmetues publik dhe një rregullues transmetimesh të pavarur politikisht dhe financiarisht do të jetë e pamundur të krijohet një mjedis kur media të jetë e lirë dhe e gjallë. Është nevoja të reformohet RTSH-ja, si dhe KKRT-ja, në mënyrë që ato të mbrohen nga ndikimi politik si dhe të sigurojnë financimin e tyre, veçanërisht tani kur Shqipëria po i drejtohet dixhitalizimit”, tha Mijatović.
Mijatović mirëpriti vendimin e kohëve të fundit për të hequr dënimin me burg për akuzat për shpifje nga Kodi Penal i Shqipërisë, si dhe gatishmërinë e shprehur të qeverisë për të shkuar akoma më tej e për ta depenalizuar plotësisht shpifjen së shpejti. Gjithashtu, ligji për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare duhet të zbatohet në mënyrë të plotë, tha ajo.
Mijatović mirëpriti deklaratën e Kryeministrit Berisha që forcimi i lirisë së medias është përparësi e qeverisë së tij, por theksoi se pronarët e medias, shpesh të lidhur me parti politike, gjithashtu, duhet t’i mbajnë duart larg: “Organet e medias duhet t’i shërbejnë publikut dhe shoqërisë në tërësi dhe të mos veprojnë në interes të një figure publike apo biznesi të caktuar”.
Mijatović theksoi rëndësinë që ka interneti i hapur dhe e lavdëroi Shqipërinë që vazhdon ta mbajë të lirë mjesidin online.
Gjatë vizitës së saj, Mijatović gjithashtu foli për studentët e Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës.