Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave kërkon nga autoritetet dhe mediat në Shkup që të respektojnë rolin e gazetarisë
SHKUP, 27 tetor 2011 – Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e mediave Dunja Mijatoviç përfundoi sot vizitën e saj të parë zyrtare në Shkup, ku ajo së bashku me gazetarët dhe qeverinë diskutoi lidhur me situatën e lirisë së mediave në vend.
"Pas një seri të ngjarjeve shqetësuese që ndodhën këtë vit, për mua ka qenë e rëndësishme që të marrë informacion të dorës së parë dhe që të punojmë së bashku në identifikimin e zgjidhjeve,” ka thënë Mijatoviç.
Gjatë vizitës së saj, Përfaqësuesja u takua me kryeministrin Nikola Gruevski, ministrin e punëve të jashtme Nikolla Poposki, zëvendës kryeministren për çështje evropiane Teuta Arifi dhe ministrin për lidhje dhe transport, Mile Janakieski.
Takime të tjera përfshijnë kryetari e Këshillit për radiodifuzion Zoran Stefanovski, kryetarin e Shoqatës së gazetarëve Naser Selmani, kryetaren e sindikatës së gazetarëve Tamara Çausidis , drejtoreshën e Institutit të Medias Biljana Petkovska, si dhe me përfaqësues tjerë të mediave.
Korniza ligjore për liri të mediave jo plotësisht e zbatuar, transformimi i RTVM-së në një transmetues publik profesional dhe të qëndrueshëm, mbrojtja e pavarësisë së autoritetit rregullator, presioni politik dhe ekonomik mbi mediat dhe gazetarët, si dhe mungesa e solidaritetit ndërmejt gazetarëve dhe ndarja e tyre përgjatë linjave politike janë sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet liria mediave në vend,” ka theksuar Mijatoviç.
"Në mënyrë që të dilet nga kriza aktuale serioze, të gjithë, përfshi politikanët, pronarët e mediave dhe gazetarët duhet të kuptojnë se mediat duhet t’i shërbejnë publikut dhe shoqërisë në përgjithësi dhe jo të veprojnë në interes të një partie të caktuar, një figure publike apo biznesi ,”ka thënë Mijatović. “Duhet të jetë e qartë se nuk u takon politikanëve ose qeverisë që t’iu tregojnë gazetarëve se si të bëjnë punën e tyre. Mediat dhe gazetarët duhet thjesht të jenë pro-publikut.”
Mijatoviç përshëndeti iniciativën e përbashkët të zëvendës kryeministres Teuta Arifi dhe Shoqatës e gazetarëve për krijimin e një grupi pune që do të identifikojë mangësitë kryesore në fushën e lirisë së medias dhe do të përgatit një plan veprimi për tejkalimin e problemeve.
“Vendi së pari duhet të dekriminalizojë plotësisht shpifjen dhe fyerjen,” ka thënë ajo. "Nuk është e pranueshme që ka aktualisht 165 raste të ngritura kundër gazetarëve për shpifje. Procedurat penale dhe kërcënimi i gjobave të larta paraqesin efekt serioz frikësues për mediat. "
Në një rast të fundit, një deputet ka kërkuar 15.000 Euro për dëm moral nga një gazetar për parashtrimin e një "pyetjeje ofenduese" në titull.
"Parashtrimi i pyetjeve, përfshi edhe ato provokuese, nuk është opsion për gazetarët, por në fakt është detyra e tyre. Politikanët, pikërisht për funksionin publik që ata marrin, duhet të shfaqin një shkallë më të lartë të tolerancës,” tha Mijatoviç.
Ajo shtoi se formimi i trupit vet-rregullues do të ndihmojë në përmirësimin e standardeve profesionale dhe do të parandalojë gazetarët nga ngritja e padive për shpifje kundër njëri tjetrit.
Mijatoviç u bëri thirrje autoriteteve që të përmirësojnë zbatimin e ligjeve për pronësinë e mediave për të shmangur ndër-pronësitë e paligjshme dhe ndikimin politik në media, si dhe të përpilojnë dispozita lidhur me transparencën e reklamave qeveritare.
Mijatoviç ka ofruar asistencën e zyrës së saj në shqyrtimin e legjislacionit të medias që të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e mediave.