Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias përfundon një vizitë konstruktive për promovimin e lirisë së medias në Shqipëri
TIRANË, 13 shkurt 2018 - Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, përfundoi një vizitë dyditore në Shqipëri. Gjatë kësaj vizite, Désir u takua me Kryeministrin, Edi Rama, Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, kryetaren dhe zëvendëskryetaren e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe me aktorë të medias në vend.
Përfaqësuesi dhe Kryeministri diskutuan për rëndësinë e promovimit të një peizazhi mediatik të fortë dhe pluralist, për cilësinë e informimit, respektimin e pavarësisë së gazetarëve, mbrojtjen e statusit ekonomik dhe social të gazetarëve, si dhe për reformën e transmetuesit publik RTSH.
“Statusi ekonomik i gazetarëve mbetet një nga çështjet më të ngutshme në vend. Mosekzistenca e kontratave të punës dhe vonesat në pagesën e rrogave dhe kontributeve shoqërore ngërthejnë rrezikun e vetëcensurës”, tha Désir, duke theksuar nevojën për respektimin e të drejtave të punës të gazetarëve.
Përfaqësuesi u takua edhe me kryetarin e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Gentian Sala, Drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), Thoma Gëllçi, kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH-së, Kristaq Traja, si edhe me analistë të shumë të medias dhe gazetarë për të dëgjuar mendimet e tyre për çështjet aktuale dhe për bashkëpunimin e ardhshëm në degët e tyre përkatëse të skenës së medias në Shqipëri.
“Më vjen mirë për disa ndryshime pozitive në RTSH, gjatë viteve të fundit, si dokumenti i parimeve editoriale, statuti i ri dhe strategjia e zhvillimit. Megjithatë, ky vrull pozitiv duhet të përdoret për të përfunduar plotësisht ristrukturimin e transmetuesit publik dhe për të kapërcyer sfidat aktuale, përfshirë procesin e dixhitalizimit”, tha Désir. “Po ashtu, transmetuesit publik do t’i nevojitet një mbështetje e fortë financiare për ta kryer me sukses këtë transformim, përfshirë edhe trajnimin e gazetarëve dhe personelit”, shtoi ai.
Në përfundim të vizitës së tij, Désir vlerësoi marrëdhënien shumë të mirë dhe konstruktive të autoriteteve shqiptare me Zyrën e tij dhe me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, si dhe ofroi ndihmën e tij për të mbështetur e përmirësuar më tej peizazhin mediatik në vend.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet e medias në të 57-a Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ai bën paralajmërim të hershëm për shkeljet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, si dhe promovon respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së për lirinë e medias. Mësoni më shumë në www.osce.org/fom, Twitter: @OSCE_RFoM dhe në www.facebook.com/osce.rfom