OSBE dënon sulmin kundër kryeredaktorit të televizionit publik të Kosovës
PRISHTINË, SAN JOSÉ, 1 maj 2013 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, dhe përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, Dunja Mijatović, e dënuan sulmin e sotëm kundër Mufail Limanit, kryeredaktorit të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Dera e hyrjes së shtëpisë së familjes Limani ishte vënë në zjarr herët në mëngjes sot përmes një bombole gazi. Fatmirësisht, askush nuk ka pësuar lëndime.
“E dënoj fuqimisht sulmin e mëngjesit të sotëm kundër kryeredaktorit të RTK-së, Z. Limani, dhe familjes së tij,” tha Schlumberger.
“Sulmi kundër Limanit është shumë shqetësues. Ai është tregues i një trendi në zhvillim të kërcënimit dhe frikësimit të gazetarëve dhe profesionistëve të mediave, gjë e cila e pengon lirinë e mediave dhe lirinë e të shprehurit dhe kjo duhet të ndalet,” tha Mijatović, e cila është duke e përcjellë përvjetorin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit në San José, Costa Rica.
“E përsërisë thirrjen time të cilën ua bëra institucioneve të Kosovës dje që të bëjnë më të mirën e tyre për promovimin dhe ruajtjen e një ambient ku mediat janë në gjendje të punojnë në mënyrë të lirë dhe sigurt pa ndonjë ndikim apo ndërhyrje të paligjshme. Gjithashtu, i bëjë thirrje institucioneve për zbatimin e ligjit që t’i sjellin keqbërësit e këtij dhe akteve të mëhershme kundër mediave para drejtësisë,” tha Schlumberger.
Ai i dëshiroi familjes Limani tejkalim të shpejtë të shokut dhe stresit të cilit iu kishin ekspozuar.