Turizëm me ndërgjegje: Grupet shqiptare të interesit mblidhen për të diskutuar kujdesin e duhur për të drejtat e njeriut në këtë industri
OSBE-ja ka marrë një qëndrim proaktiv në adresimin e abuzimeve të të drejtave të njeriut brenda zinxhirëve të furnizimit, duke u fokusuar veçanërisht në parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të punës në sektorin e turizmit.
Për të nxitur një kuptim të përbashkët të kujdesit të duhur për të drejtat e njeriut dhe ndikimet e tij si për entitetet publike ashtu edhe ato private, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe Koordinatorit të OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore organizuan një tryezë e rrumbullakët, më 6 qershor. Tryeza, e përshkruar nga zëvendësministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Vilma Bello, si një “diskutim novator mbi të drejtat e njeriut në turizëm”, u organizua në bashkëpunim me nismën shumëpalëshe “Tryeza për të drejtat e njeriut në turizëm”, Agjencinë gjermane për Biznes dhe Zhvillim Ekonomik (AWE), dhe Agjencinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Aktorët kryesorë nga qeveria, shoqëria civile dhe biznesi u mblodhën për një diskutim dinamik për të trajtuar çështjen e ngutshme të kujdesit të duhur për të drejtat e njeriut në korporata dhe parandalimin e shfrytëzimit të punës në sektorin në rritje të turizmit, duke pranuar se rritja e qëndrueshmërisë në Shqipëri do të jetë e dobishme edhe për të ardhmen e Evropës.
“Shqipëria është bërë një shembull i mrekullueshëm sesi sektori i turizmit mund të nxisë zhvillimin. Është largpamëse të kemi një diskutim mbi turizmin e qëndrueshëm, që kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe social”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran.
Tryeza praktike solli në plan të parë perspektiva të ndryshme, duke shfaqur shembuj të botës reale të bizneseve që ndërmarrin veprime dhe ofroi një platformë për debate të gjalla dhe shkëmbim njohurish.