Transporti dhe energjia e qëndrueshme, temë e konkursit të fotografisë ofruar nga Kryesuesja e Radhës së OSBE-së, Lituania
Vjenë, 6 qershor 2011 – OSBE dhe Lituania si kryesuese e radhës lansuan garën e fotografisë me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e transportit dhe energjisë së qëndrueshme.
Gara është e organizuar në lidhje me forumin vjetor ekonomik dhe mjedisor të OSBE-së që këtë vit fokusohet në promovimin e energjisë së qëndrueshme dhe transportit. Takimi përmbyllës i këtij forumi do të mbahet nga 14 deri 16 shtator në Pragë.
Siguria e vërtetë kërkon jo vetëm mungesën e një kërcënimi ushtarak - ajo kërkon një mjedis të sigurt, mundësi të mjaftueshme ekonomike dhe respektim të të drejtave të njeriut. Gjetja e mënyrave të favorshme për të prodhuar energji dhe për të siguruar transport të qëndrueshëm ka një rëndësi të veçantë për të ardhmen tonë.
Fotografistët, si profesionistë ashtu edhe ata amatorë, banorë të hapësirës së OSBE-së, përfshirë edhe shtetet partnere për bashkëpunim, ftohen që t’i paraqesin fotografitë që ilustrojnë rëndësinë e transportit të qëndrueshëm dhe energjisë para 31 korrikut. Rregullat e plota të garës dhe aplikacioni gjendet në: www.osce.org/eea/photo2011
Një juri ndërkombëtare do t’i përzgjedhë finalistët dhe dy fitues; vendi i tretë do të përzgjidhet nga votimi online.
Fituesi i çmimit të parë do të ftohet që të udhëtojë në Pragë për të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit në margjina të Forumit Ekonomik dhe Mjedisor më 14-16 shtator dhe do të marrë një çmim që përmban pajisje fotografimi. Kostot e udhëtimit, vizës dhe akomodimit do të mbulohen nga organizuesit e garës.
Vendit të dytë dhe të tretë gjithashtu do t’u dhurohen pajisje fotografimi.
Një përzgjedhje e 12 fotografistëve nga finalistët dhe fituesit do t’i ekspozojnë punimet e tyre gjatë Forumit Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE-së në Pragë.