Kryetari i Radhës i OSBE-së, Borg, përfundon vizitën në Shqipëri
TIRANË, 13 nëntor 2024 — Kryetari i Radhës i OSBE-së, zëvendëskryeministri dhe ministri për Punët e Jashtme, Çështjet Evropiane dhe Tregtinë e Maltës, Ian Borg, përfundoi sot vizitën e tij në Shqipëri, duke rikonfirmuar përkushtimin e OSBE-së për forcimin e sigurisë rajonale dhe partneritetin e saj të vijueshëm me Shqipërinë.
Gjatë vizitës së tij, Kryetari i Radhës, Ian Borg, zhvilloi takime me Presidentin Bajram Begaj dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
“Këtu, në terren, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka qenë një partnere e palëkundur në çuarjen përpara të vlerave demokratike, duke forcuar institucionet dhe duke promovuar të drejtat e njeriut që nga viti 1997”, tha Kryetari i Radhës, Borg. "Së bashku, ne po ndërtojmë demokraci më të forta dhe shoqëri më gjithëpërfshirëse me nisma për reformën në drejtësi, antitrafikimin dhe angazhimin e të rinjve".
Kryetari i Radhës, Borg, vizitoi Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, ku u takua me Kryetarin e Prezencës, Michel Tarran dhe stafin e misionit.
“Unë shpreh mbështetjen time të fortë për punën e Prezencës dhe përcjell mirënjohjen tonë për ekipin tonë të përkushtuar të profesionistëve. E nxis Shqipërinë të vazhdojë të përdorë sa më mirë përvojën e saj të gjerë në zbatimin e angazhimeve tona të përbashkëta”, tha Kryetari i Radhës, Borg.
Gjatë vizitës së tij, Kryetari u takua edhe me përfaqësues të organizatave vendase të shoqërisë civile, që punojnë në fushën e barazisë gjinore dhe të dhunës me bazë gjinore. Duke theksuar rëndësinë e organizatave të shoqërisë civile në advokimin dhe mbështetjen e zbatimit të politikave, zëvendëskryeministri Borg njohu sfidat me të cilat përballen ato dhe përsëriti angazhimin e OSBE-së për të forcuar rolin e tyre.