Kthimi në dialog kuptimplotë thelbësor për forcimin e qëndrueshmërisë dhe rritjen e sigurisë, thotë Kryesuesi i Radhës i OSBE-së Borg pas përfundimit të vizitës në Kosovë
PRISHTINË, 12 prill 2024 – Kryesuesi i Radhës i OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, përfundoi vizitën e tij një ditore në Kosovë, duke theksuar rolin kyç të OSBE-së në promovimin e dialogut, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit.
Duke reflektuar mbi partneritetin 25 vjeçar, Ministri Borg theksoi bashkëpunimin e fortë dhe angazhimin e vazhdueshëm të OSBE-së në Kosovë. “Përpjekjet tona të përbashkëta gjatë këtyre viteve, për të avancuar sundimin e ligjit, për të rritur bashkëpunimin ndërkomunal dhe për të përkrahur rolin e të rinjve në promovimin e dialogut dhe ndërtimin e besimit, si Akademia e Dialogut e OSBE-së për Gratë e Reja, janë dëshmi e përkushtimit dhe arritjeve tona të ndërsjella. Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë këtë bashkëpunim jetik”, tha Ministri Borg.
Kryesuesi Borg nënvizoi rëndësinë e gjetjes së bazës së përbashkët përmes dialogut të qëndrueshëm. “Fokusi ynë mbetet promovimi i unitetit duke ndërtuar mbi atë që na bashkon e jo në atë që na ndan”, tha Ministri Borg.
Vizita përfshiu takime të frytshme me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendës Kryeministren dhe Ministren e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, me fokus shfrytëzimin e mbështetjes dhe ekspertizës së OSBE-së në zbatimin e reformave kyçe. Ministri Borg nënvizoi rëndësinë e dialogut Prishtinë-Beograd dhe ripohoi përkushtimin e OSBE-së për të ndihmuar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Kryesuesi i Radhës përsëriti rolin shumë të rëndësishëm të Misionit të OSBE-së në Kosovë, duke nënvizuar historikun e tij në ndërtimin efektiv të kapaciteteve në fushat kryesore si qeverisja e mirë, veçanërisht në nivelin komunal, liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut, në interes të çdo komuniteti në Kosovë.
Gjatë vizitës së tij në Mision, Ministri Borg vlerësoi përkushtimin e palëkundur të të gjithë stafit, të udhëhequr nga Shefi i Misionit Michael Davenport, duke lavdëruar përkushtimin dhe kontributin e tyre të rëndësishëm. “Përmes Misionit tonë në Kosovë, ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me partnerët drejt qëllimit tonë të përbashkët për forcimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike në Kosovë, me respekt për të drejtat e të gjitha komuniteteve”, pohoi ai.
Ministri Borg u takua edhe me organizata lokale të shoqërisë civile dhe përfaqësues të komuniteteve nga komuna të ndryshme, duke u fokusuar në çështje kritike si të drejtat e komuniteteve, pjesëmarrja e të rinjve, fuqizimi i grave, dhe përpjekjet për të luftuar dhunën në familje.
Duke vë në pah kontributin e rëndësishëm të OSBE-së në promovimin e besimit dhe bashkëpunimit në nivel komunal, Kryesuesi vizitoi Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan ku u takua me një grup të kryetarëve të komunave, OJQ-ve dhe përfaqësues të komuniteteve. Ministri Borg u takua edhe me Peshkopin Teodosije të Kishës Ortodokse Serbe, ku theksoi rolin tejet të rëndësishëm të udhëheqësve fetarë në promovimin e tolerancës dhe mosdiskriminimit mes të gjitha komuniteteve.