Kryesia e OSBE-së e Maqedonisë së Veriut, UNHCR-ja, Misioni i OSBE-së në Shkup, Komisioneri i Lartë OSBE-së për Pakica Kombëtare dhe ODIHR bashkojnë forcat për t'i dhënë fund pashtetësisë në Evropën Juglindore
SHKUP, 17 tetor 2023 – Zgjidhja e të gjitha rasteve të njohura të pashtetësisë në Evropën Juglindore dhe parandalimi i lindjes së fëmijëve pa shtetësi janë zotimet e marra nga autoritetet kombëtare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile gjatë konferencës rajonale të mbajtur sot në Shkup, Maqedonia e Veriut.
Konferenca u organizua nga UNHCR (Agjencia e OKB-së për Refugjatët) Misioni i OSBE-së në Shkup, Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare (KLPK) dhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), nën kujdesin e Kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut.
Për të përmbushur angazhimet e tyre, autoritetet kombëtare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, bënë një pasqyrë të arritjeve në rajon. Ata identifikuan gjithashtu veprimet e nevojshme për të promovuar qasjen në dokumentacionin civil – një e drejtë themelore e njeriut për të gjithë.
“Pashtetësia është një fenomen global që prek miliona njerëz, duke i privuar nga të drejtat e tyre themelore, qasjen në shërbimet thelbësore dhe mbi të gjitha dinjitetin. Trajtimi i pashtetësisë është lufta dhe përpjekja jonë e përbashkët. Vetëm duke punuar së bashku, me mirëbesim dhe përpjekje të sinqerta, mund të përmbushim misionin tonë të përbashkët për të çrrënjosur këtë dilemë. Vullneti dhe përkushtimi i qartë politik i Maqedonisë së Veriut për të çrrënjosur pashtetësinë demonstron përkushtimin tonë të palëkundur për të siguruar identitet ligjor për personat e identifikuar të paregjistruar deri në fund të vitit 2023,” deklaroi kryesuesi i OSBE-së, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë hapjes së konferencës.
“Kemi parë hapa të rëndësishëm, por ende nuk kemi dalë nga pylli. Vullneti i vazhdueshëm politik është i nevojshëm për të përmbushur angazhimet e marra për parandalimin dhe zgjidhjen e pashtetësisë. Zgjidhjet janë lehtësisht të arritshme - sepse pashtetësia mund të zgjidhet vetëm me një goditje të stilolapsit - nëse qeveritë janë të gatshme të ndërmarrin veprime," tha Ndihmës Komisionerja e Lartë e UNHCR-së për Mbrojtje, Gillian Triggs.
Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Kairat Abdrakhmanov, tha se duke punuar për të parandaluar dhe trajtuar pashtetësinë brenda pakicave kombëtare, shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së jo vetëm që mbështesin parimet e barazisë dhe drejtësisë, por gjithashtu kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë, si dhe kohezionin social.
“Prandaj është e rëndësishme që ne të gjithë të punojmë kolektivisht për të siguruar që pakicat kombëtare brenda rajonit të OSBE-së, dhe këtu po flasim për Evropën Juglindore në veçanti, të kenë qasje në shtetësi. Kjo do të forcojë përpjekjet tona për të promovuar shoqëri gjithëpërfshirëse dhe për të nxitur një ndjenjë të përbashkët të përkatësisë”, theksoi Abdrakhmanov.
“Njerëzit pa shtetësi shpesh mbeten të padukshëm në shoqëritë tona dhe nuk janë në gjendje të gëzojnë spektrin e plotë të të drejtave të tyre njerëzore. E drejta për një shtetësi është e sanksionuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe çdo vend i OSBE-së angazhohet që të garantojë këtë të drejtë. ODIHR do të vazhdojë të mbështesë vendet në mbarë rajonin e OSBE-së në përpjekjet e tyre për të parandaluar dhe për t'i dhënë fund pashtetësisë,” theksoi Matteo Mecacci, drejtor i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut.
“Në Maqedoninë e Veriut është bërë përparim domethënës. Vendi ka përshpejtuar procesin e regjistrimit, duke treguar se kur të gjithë aktorët përkatës bashkëpunojnë, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kuvendin, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Misionin tonë dhe UNHCR-në, e paimagjinueshmja bëhet e arritshme.” tha ambasadori Kilian Wahl, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.
“Nga suksesi i Maqedonisë së Veriut mund të nxirren disa praktika më të mira dhe shpresoj se ato mund të frymëzojnë të tjerët.”
Që nga miratimi i Deklaratës së Zagrebit në vitin 2011 për qasjen në dokumentacionin civil dhe regjistrimin në Evropën Juglindore, mbi gjashtë mijë persona pa shtetësi fituan një shtetësi ose e konfirmuan atë, ndërsa vendet në mbarë rajonin kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të hequr diskriminimin nga procedurat e regjistrimit të lindjes, për të siguruar dokumentacion civil pa diskriminim, si dhe për të prezantuar masa mbrojtëse për të parandaluar pashtetësinë që në fëmijëri. Me aderimin e Maqedonisë së Veriut në Konventën e vitit 1961 për Reduktimin e Pashtetësisë në vitin 2020, të gjitha vendet në Evropën Juglindore tanimë janë palë në Konventat e OKB-së për Pashtetësinë të vitit 1954 dhe 1961.
UNHCR dhe OSBE janë të gatshme të mbështesin qeveritë dhe shoqërinë civile për t'i dhënë fund pashtetësisë. Duke iu bashkuar Aleancës Globale për t'i dhënë fund Pashtetësisë, një nismë e re kjo që përshpejton gjetjen e zgjidhjeve për pashtetësinë, qeveritë tanimë kanë një mundësi për të rinovuar angazhimin e tyre për këtë kauzë.