Deklaratë e Kryetarit të Radhës të OSBE-së, Lajčák, për zhvillimet në Shqipëri
Bratislavë/Nikozia, 10 qershor 2019 - Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, shprehu sot shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, të cilat mund të thellojnë më tej krizën politike dhe të çojnë në ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore.
Kryetari i Radhës u bëri thirrje udhëheqësve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë legjislacionin në fuqi, si edhe rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse. Ai theksoi pritshmërinë e tij se udhëheqësit do të veprojnë në përputhje me parimet demokratike dhe do të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre, brenda kufijve kohorë të vendosur nga kuadri ligjor shqiptar. Gjithashtu, ai shprehu besimin e tij se Shqipëria është e aftë ta trajtojë vetë situatën, brenda kornizës së saj kushtetuese dhe ligjore, dhe se do të gjejë një zgjidhje, e cila do t’i mundësojë vendit të përqendrohet në sfidat e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë.